Infektologu Ilir Tolaj ka zbuluar arsyet pse Kosova ka numër rekord të vdekjeve nga Covid 19.
Tolaj ka bërë përgjegjës Qeverinë e Kosovës dhe autoritet shëndetësore, duke thënë se hapja e pakontrolluar gjatë sezonit të verës dhe sigurimi i vonë i vaksinave bëri që varianti Delta të kishte rrugën e hapur në mesin e popullësisë në Kosovë.
“Kishim disa masa liruese praktikisht që u ndërmorrën nga Qeveria e Kosovës, disa javë para se të fillojë vala e katërt, e cila bëri që përhapja e variantit Delta të jetë e papenguar plotësisht në mesin e popullatës. Në fakt, autoritetet shëndetësore por edhe Qeveritare në Kosovë lejuan që të mbahen dasmat pa kufizime, të punojnë klubet e natës pakufizime, edhe kur filluan të rritën numrat u vazhdua orari i punës së tyre nga ora një pasmesnate deri në orën tre pas mesnate” – deklaroi ai për emisionin “Open” në Top Channel.
“Faktor tjetër ishte edhe sigurimi i vonë i vaksinave. Numri i tyre ishte i kufizuar edhe gjatë kohës kur u siguruan dhe në një mënyrë edhe hezitimi, duke filluar edhe nga mjekët ishte rrënues për propagandën pozitive që i duhej bërë vaksinimit” – vazhdoi ai.
Tutje, Tolaj tha se numri i lartë i personave që kërkuan ndihmë në spitale, bëri që kujdesi ndaj tyre të shënoi rënie në kualitet, duke ndikuar në rritjen e numrit të viktimave.
“Numri i të hospitalizuarëve jashtëzakonisht i lartë dhe në këto momente edhe kujdesi pësoi një rënie në kualitet duke rezultuar në këto vdekje” – përfundoi ai. /TV Malisheva