Emigrimi mund të cilësohet si një lidhje dhe përshtatje me nevojat e tregut dhe zhvillimet e tjera ku shtetet e fuqishme kërkojnë të absorbojnë potencialin njerëzor të punës nga vendet ku ata nuk arrijnë të sigurojnë punë dhe kushte të favorshme të jetës. Pra konsiderohet si dukuri e cila kërcënon shtetet e dobëta ekonomikisht dhe ato në tranzicion apo në fazën e ndryshimeve të tjera të natyrës politike.
Emigrimi në shekullin XXI është një ndër fenomenet më të përhapura, e i cili sigurisht që ndërlidhet ngushtë me perspektivën e njerëzve për një punë dhe jetë më të mirë, prandaj mund të themi se emigrimi paraqitet si një dukuri mjaft e përhapur edhe tek qytetarët e Kosovës. Emigrimi tek qytetarët e Kosovës, vazhdon të jetë prezent në një shkallë të lartë, qoftë në mënyrë të rregullt, qoftë ilegale.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2018 ka qenë gjithsej 28,164 banorë, duke përfshirë këtu emigrantët legalë dhe ata ilegalë.
“Pjesa më e madhe e emigrantëve për vitin 2018, ishin emigrantët legal. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Po ashtu, gjatë vitit 2018 një numër emigruan duke kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (CEFTA). Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër i kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Kanada, Turqi dhe vende tjera”, thuhet në raport.
Çka e bën akoma më shqetësuese këtë dukuri është e ashtuquajtura “ikja e trurit”. Shumë të rinj vazhdojnë edhe sot të largohen nga Kosova ndonëse janë edhe të arsimuar mirë. Ata pranojnë të kryejnë edhe punë për të cilat janë të mbikualifikuar vetëm për të mos qëndruar në Kosovë. Mirëpo, ka edhe prej atyre të cilët janë zhgënjyer dhe kanë vendosur të kthehen përsëri në Kosovë.
E.L, 25 vjeçar u shpërngul nga Kosova për të nisur shkollimin e tij në një universitet në shtetin e Gjermanisë. Qëndrimi i tij në Gjermani nuk zgjati shumë. Ai rrëfen për KosovaJob se vendosi të kthehej në Kosovë për shkak se e kishte shumë të vështirë t’i mbulonte shpenzimet jetësore me të ardhurat që i ofroheshin një studenti atje.
“Në janar aplikova për shkollim në degën e infermierisë në Gjermani. Kërkesa e tyre e vetme ishte njohja e gjuhës gjermane. Me datën 1 prill fillova shkollën atje. Paga mujore për një nxënës praktikant ishte rreth 900 euro neto por me ato të ardhura mujore më duhej ta paguaja qiranë, që ishte rreth 240 euro dhe biletën mujore për transport që ishte 110 euro, e po ashtu edhe shpenzimet e tjera. Pas disa muajve nuk isha i kënaqur me kushtet dhe vendimin për të studiuar infermierinë, kështu që vendosa të kthehem përsëri në Kosovë”, tha E.L.
Pse të qëndroni në Kosovë?
Valon Asani, ani pse i lindur dhe i rritur në shtetin e Zvicrës, vendosi të ndiqte një karrierë në Kosovë. Gjatë studimeve, ai krijoi webfaqe të ndryshme dhe kësisoj interesimi i tij vazhdoi të ishte zhvillimi i webfaqeve. Në vitin 2011, ai u vendos në Kosovë dhe nëpërmjet agjencisë së tij për zhvillimin e websiteve filloi promovimin e Kosovës në Zvicër. Ai punësoi njerëz nga Prishtina për të kryer shërbime për kompani zvicerane.
Investimi në Kosovë, për të nënkupton më shumë sesa thjesht një vendim të mirë. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë vetëm me taksat e ulëta, resurset e pasura, rininë e Kosovës apo një mjedis ku mbështeten bizneset.
“Për mua personalisht ka arsye të tjera të cilat më vijnë në mendje kur flas me investitorët e mundshëm. Ka mundësi të pafundme, organizata të ndryshme, të tilla si ICK që mbështesin bizneset e reja me hapësira për zyre, konsulentë dhe para. Ekziston një komunitet i madh gjermanofolës që ka tashmë një dekadë përvojë kur bëhet fjalë për punën me rajonin DACH (vendet si Austria, Zvicra dhe Gjermania). Ne gjithashtu kemi një komunitet shumë të talentuar të teknologjisë që po rritet gjithnjë e më shumë dhe po bëhet më i mirë çdo vit. Pra, kur është fjala për teknologjinë ose bizneset si outsourcing, Kosova duhet të jetë patjetër në vëmendjen e çdo investitori në Evropë”.
Gjatë intervistës për KosovaJob, ai përpos mundësive të investimit në Kosovë përmendi edhe mundësitë për t’u vetë-zhvilluar, duke këshilluar të rinjtë punëkërkues të kontrollojnë vazhdimisht portalet e punësimit në Kosovë. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për pothuajse çdo profesion, duke nisur nga inxhinierët e mirë, punëtorët në ndërtimtari, dizajnerët, zhvilluesit, etj.
“Çfarëdo që të vendosni të bëni, thjesht vendosni për një punë dhe bëhuni të mirë në të. Kjo do t’iu vendosë në një pozitë të zgjedhjes midis ofertave më të mira për punë ose fillimit të biznesit tuaj. Besoni apo jo, nga këndvështrimi im nuk ka mungesë të mundësive për punë, por mungesë të punëtorëve të mirë që investojnë në veten e tyre duke lexuar, studiuar dhe vetë-zhvilluar.”
Pavarësisht vështirësive që mund të hasen në shtetet e huaja, dëshira për t’u larguar nga Kosova duket akoma shumë e madhe tek të rinjtë në Kosovë. Në lidhje me këtë dukuri, Valon Asani tha se mund të konsiderohet puna nga distanca dhe jo largimi. Sipas tij, puna nga shtëpia është shumë e pranueshme për shumë kompani në Gjermani. Ata që vërtetë duan të punojnë në Gjermani, ai i këshillon që fillimisht ta konsiderojnë punën në Gjermani por nga Kosova, meqenëse është edhe fitore e dyanshme.
Largimin nga vendi për të punuar në Gjermani, ai nuk e sheh aspak të nevojshëm kur sipas tij sot ka miliona punë të pavarura, miliona punë në industrinë e IT / Zhvillimit / Teknologjisë / Outsourcing. “Pra, nëse përqendroheni në punën që mund të bëhet në internet, atëherë më të vërtetë nuk ka nevojë ta lini vendin dhe familjen tuaj. Nëse i bëni llogaritjet, me të ardhurat nga Gjermania (Zvicra, Austria ose Mbretëria e Bashkuar.) dhe akoma jetoni në Kosovë, do të keni një zgjidhje të shkëlqyeshme për veten tuaj. Do të keni të ardhura të mira, por përseri të mund të jetoni afër shoqërisë dhe familjarëve tuaj”
Çka duhet të keni parasysh nëse jeni të vendosur të largoheni?
Në rast se jeni shumë të vendosur për t’u larguar nga Kosova dhe synoni gjetjen e një punë atje, ka disa gjëra që duhet t’i keni parasysh paraprakisht.
“Të paktën përgatituni, përfundojeni nivelin A1 dhe A2 në gjermanisht, informohuni rreth sistemit tejet të lartë të taksave në Gjermani, krahasuar me sistemin e thjeshtë dhe të ulët të taksave në Kosovë, kësisoj nuk do të shokoheni kur e shihni se ata do të marrin 50 % të të ardhurave tuaja bruto”, përfundoi Asani.
Si një mundësi më të mirë për të jetuar dhe vepruar, Kosovën e pa edhe shtetasi gjerman Aaron Schmidt. Për të, vendimi për të ardhë në Kosovë ka qenë i duhuri. Ai thotë se vendosi të vinte në Kosovë sepse e pa edhe si një mundësi të mirë për të takuar njerëz të rinj e për të mësuar rreth kulturave të reja. Sa i përket jetës në Kosovë, ai thotë se ndjehet shumë më mirë se në Gjermani.
“Unë kam punuar në Gjermani për tre vite. Rroga minimale atje është dikund 1400 euro por pas heqjes së taksave të mbesin 1200 euro dhe ajo pagë nuk është shumë kur krahasohet me Kosovën, këtu p.sh mund të marrësh 500 euro për muaj dhe sërish mund të bësh më shumë gjëra me atë rrogë. Në Gjermani kur mbetesh me 1200 euro, nuk do të arrish t’i përballosh as çmimet e restauranteve”
Sipas tij, të rinjtë të cilët largohen nga Kosova duhet ta kenë parasysh se çka kanë qenë duke punuar ose studiuar në Kosovë dhe çka mendojnë të bëjnë atje. Ai krahason punën e agjentit të thirrjeve në Kosovë, me agjentin e thirrjeve në Gjermani.
“Nëse dikush dëshiron të jetojë në Gjermani dhe të punojë si agjent thirrjesh nuk mund të jetojë sikur në Kosovë. Unë nuk do ta bëja një gjë të tillë, nuk do të largohesha nga Kosova. Për një pagë prej 1200 ose 1300 eurosh, unë do të qëndroja në Kosovë sepse këtu mund të jetohet shumë më mirë me pagën e një agjenti të thirrjeve”
Rekomandimi i tij para se të merret vendimi për t’u larguar nga Kosova, është informimi i saktë se në cilën pjesë të Gjermanisë do të jetojnë dhe punojnë ata që largohen. Sipas tij, qytetet si Minheni ose Duseldorfi janë tejet të shtrenjta dhe nevojiten 600 deri në 700 euro vetëm për të mbuluar qeranë e apartamentit, pa ndonjë mobilje brenda. Ai shton se duhet pasur parasysh edhe shpenzimet e internetit, telefonit, televizorit dhe disa gjëra të tjera me rëndësi. Kësisoj, shpenzohen afër 1000 euro në muaj vetëm për të tilla shpenzime dhe mbesin vetëm 200 euro për të jetuar, çka për Gjermani Aaron tha se është shumë pak.
Në tabelën më poshtë nuk përfshihen shpenzimet si uji, energjia elektrike, etj. Këto shpenzime janë mesatarisht 200€.