Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, që po mbahet në Islandë sot deklaroi se është e pamundur për të që të shmangë heqjen e paraleleve midis Ukrainës e presidentit Zelensky dhe Kosovës e presidentit Thaçi.

Rama u shpreh se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj, Hashim Thaçit ka filluar në Këshillin e Europës nën ndikimin e ish-anëtarit të asaj kohe të këtij këshilli, Federatës Ruse.

Rama: Padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe Hashim Thaçit nisi në Këshillin e Europës

“Si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleleve midis Ukrainës e Presidentit Zelensky dhe Kosovës e presidentit Thaçi. Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçit, nisi saktësisht në Këshillin e Europës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij këshilli, Federatës Ruse. Presidenti i Kosovës ose si dikush i quajtur Joe Biden iu referua si George Uashingtoni i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të 2011 të Këshillit të Europës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e partisë së Vladimir Putinit në asamblenë e Këshillit të Europës. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neo-nazistët në Donbas, mu duk sikur pashë presidentin Zelensky 10 vjet më vonë gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde.”, tha Rama.

Ai tha se është tejet shkurajuese të dish që situata shqetësuese ku përfshihet presidenti Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka pasur zanafillën brenda Këshillit të Europës.

Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK.

Rama: Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim

“Do të isha fajtor po të mbetesha i heshtur e të mos flisja sot këtu e të thoja sa vijon, se asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapshtë raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve lehtësuar nga UÇK. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa të bëhej ky gabim i rëndë 12 vjet më parë kur shumë votuan mes sy mbyllur atë raport të turpshëm në mirëbesim. Sigurisht sot situata ka ndryshuar. Rusia nuk është më një anëtare e këtij Këshilli edhe pse numri i rusëve që vazhdojnë të punojnë për Këshillin e Europës është mjaft mbresëlënës dhe falë Zotit uniteti i bashkësisë demokratikë të Këshillit në mbështetje të luftës çlirimtare të Ukrainës dhe presidenti Zelensky është i jashtëzakonshëm. Shqipëria kurrë nuk ka pasur iluzione për natyrën e regjimit të Moskës dhe marrëdhënia jonë me Moskën ka qenë joekzisutese qysh prej vdekjes se Josif Visarionoviç Stalin.”, shtoi ai.

Në ditën e parë të Samitit të kryetarëve të shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte bashkëkryesues i tryezës së rrumbullakët me temë “Përballja me sfidat e reja dhe në zhvillim të të drejtave të njeriut – e ardhmja është këtu”, së bashku me presidentin e Letonisë, Egils Levits.

/TV Malisheva

Share.