Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se Kosova ka munguar në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, pasi ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë dhe po humb respekt e mbështetje.

Rama tha se liderët e Kosovës ka më shumë se pesë vite që ulen në tavolina me përfaqësues të Serbisë në gjithfarë lloj formatesh, ndërsa mungesa në Tiranë, tha se është jo për shkak se ka pasur kushte për Kosovën por që ka hyrë në një rrugë pa rrugë.

Rama: Mungon se ka hyrë në një rrugë qorre

“Kosova është pjellë e luftës së popullit të saj, por edhe mbi të gjitha e luftës me bomba të ShBA-ve dhe të shumë prej vendeve të mëdha të BE-së. Ndërkohë që ShBA-të dhe këto shtete të BE-së janë sot këtu në tryezë së bashku me të gjithë të pranishmit Kosova mungon, nuk mungon se nuk është ftuar, nuk mungon sepse i është vënë ndonjë kusht, nuk mungon sepse unë apo ne këtu kemi ndryshuar ndonjë qasje apo opinion në raport me të drejtën e saj të pamohueshme për të qenë e njohur edhe nga Serbia dhe nga të gjithë, por mungon se ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë dhe prej disa kohësh po i bie vetës dhe po humb respekt, po humb mbështetje, po humb reputacion”, tha ai.

Rama tha se as ai nuk është dakord që presidenti serb Aleksandër Vuçiq e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut, por që tha se nuk di në historinë e njerëzimit ku konfliktet e pas luftës janë zgjidhur pa u ulur përballë dhe pa vazhduar me këmbëngulje përpjekjet për dialog.

Ai tha se Kosova ka gabuar që nuk ka marrë pjesë në këtë takim, derisa tha se ka arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur me vite, që sipas tij Serbia të pranojë të ulet në tavolinë me Kosovën pa kushte.

Rama: Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon më shumë

“Çdo të thotë kjo që unë jam përgjegjës pse Kosova nuk vjen, unë nuk kam autoritet t’i urdhëroj, unë kam thjeshtë detyrën t’u them jeni gabim vëllezër, jeni shumë gabim. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon më shumë, kush mbyllet më shumë, kush izolohet më shumë, kush pjell më shumë teori konspiracioni, apo kush shpik më shumë formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë as në qiell e as në tokë. Kosova ka gjëra shumë të thjeshta për të bërë, të qëndrojë fortë afër në krah me Shqipërinë dhe me miqtë e vet të ditës së parë që janë ShBA-të dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e të ardhmes dhe strategjinë e të ardhmes në një luftë politike të ditës dhe në një taktikë dritëshkurtësi që nuk qon askund. Kush fitoi nga tarifa 100 përqind”, tha ai.

Rama është përgjigjur edhe kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili sot ka thënë se minishengeni, si qëllim për të hequr taksën ndaj Serbisë.

Rama: Haradinaj është një gënjeshtar

“Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri, gënjen nga padija apo gënjen qëllimisht, unë këtë nuk kam arritur ta zbuloj dhe nuk kam ndërmend të merrem me të, por është gënjeshtar sepse e vërteta është se këtu nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim, pra e përsëris. Kjo nismë ka një qëllim, të zbatoj marrëveshjet të bëra më parë nga të gjitha vendet”, tha ai.

Ai shtoi se ata nuk kanë ndryshuar qëndrimin që Serbia ta njoh Kosovën, por jeta e përditshme na mëson se duke hapur kanale të reja për komunikim, lehtësohet procesi./M.Duraku/

Share.