Sulmi i armatosur që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit solli edhe më shumë forca Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Vetëm dy muaj e gjysmë më parë, Qeveria e Kosovës ishte pajtuar për të zvogëluar praninë e kësaj njësie në zonën e banuar me shumicë serbe.

 

Kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.

Situata atje u acarua nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, nën përcjelljen e policisë speciale, u vendosën në objektet komunale.

Veprimi nxiti reagimin, herë-herë edhe të dhunshëm, të popullatës lokale, që kundërshton si kryetarët shqiptarë, ashtu edhe praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës.

Pas trysnisë disajavëshe të BE-së, Qeveria e Kosovës u dakordua ta zvogëlojë përgjysmë praninë e njësisë speciale përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje.

Por, sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura qëlluan policinë e Kosovës duke vrarë një pjesëtar të saj më 24 shtator, u dha kah tjetër zhvillimeve.

Rritet prania policore

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se policia ka rritur tashmë praninë e saj në veri.

“E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, tha Hoxha.

 

Ai nuk ofroi detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por tha se institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për praninë e forcave speciale në veri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

 

I kontaktuar nga REL-i, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, nuk deshi të flasë për këtë çështje. Ai tha shkurtimisht se do ta ftojë për raportim në komision ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Duke folur në ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon policinë speciale të Kosovës që të veprojë edhe në katër komunat në veri [Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq], sikurse gjithandej në territorin e Republikës”.

 

“Ajo çfarë ne kemi trashëguar është një letër e ish-kryeministrit [Hashim] Thaçi lidhur me praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës [në veri], që duhet të bëhet në marrëveshje me KFOR-in. Ne e kemi respektuar dhe vazhdojmë ta respektojmë atë zotim të njëanshëm të Thaçit ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s [Anders Fogh] Rasmussen”, tha Kurti.
/TV Malisheva

Share.