Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka fajësuar shpronësimet për vonesën e disa projekteve infrastrukturore në Kosovë.

Në konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, Aliu tha se procedurat e shpronësimit dhe cilësia e dobët e projekteve që kanë gjetur kanë qenë ndër arsyet e vonesave në përfundimin e rrugës, Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë- Podujevë, Prishtinë-Gjilan dhe rrugës nacionale Kijevë-Dollc.

Aliu: Mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë pengesë kryesore

“Mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë një ndër pengesat kryesore në realizimin e këtyre projekteve që sot i kemi pasur nëpër këmbë dhe duhet t’i zgjidhim me radhë. Natyrisht përpos çështjes së shpronësimeve dhe cilësia e punimeve ka qenë një ndër shkaktarët e vonesave të shumta që kemi pasur përgjatë viteve”, tha ai.

Për këtë të fundit, Aliu tha se sot kanë marrë vendim në qeveri për shpronësim të pronave në këtë rrugë nacionale, derisa tha se kanë paraparë buxhet prej 32 milionë euro për të gjithë projektin Kijevë-Dollc.

Aliu: Është parapa buxhet prej 32 milionë euro për gjithë projektin nga Kijevë deri në Dollc

“Është parapa buxhet prej 32 milionë euro për gjithë projektin nga Kijevë deri në Dollc pa pjesën e shpronësimeve. Pasi u morr vendimi (për shpronësim), tash kalojmë në faza të tjera që kanë të bëjnë me diskutime publike dhe vlerësimin e pronave do të dal edhe vlera e shpronësimit për gjithë rrugën dhe segmentin Kijevë-Dollc. Buxheti prej 32 milionë euro është paraparë për tri vite. Viti i parë do të ketë 4 milionë euro, vitin 2024 do të jenë 13 milionë, kurse vitin 2025 do të jenë 15 milionë euro”, shtoi Aliu.

I pyetur për ndërtimet ilegale në veri, Aliu tha se atje deri më tani nuk janë implementuar si duhet ligjet e Kosovës.

Aliu: Në veri nuk janë implementuar si duhet ligjet e vendit tonë

“Një ndër problemet kryesore është ai që është në fushën e planifikimit hapësinor dhe fushën e ndërtimit ku deri vonë, deri tani nuk janë implementuar si duhet ligjet e vendit tonë”, theksoi ai.

Ndërkaq, tha se nuk ka asnjë ngecje për ndërtimin e një stacioni policor në Leposaviq, por janë duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore.

Aliu: Nuk ka ngecje për ndërtimin e bazës së stacionit policor në veri

“Në pjesën veriore të vendit janë disa projekte në të cilat janë marrë seriozisht dhe nuk mundem të ecim me projekte pa e kryer shpronësimin. Nuk ka ngecje është marrë vendimi i qeverisë, njëherë është shpall interes nacional pastaj është shpallur vendimi për shpronësim. Pasi të kryhen detyrat që dalin nga vendimi i parë do të vjen radha te vendimi i dytë dhe tretë. Pastaj punimet të vazhdojnë andej”, përfundoi ai.

/TV Malisheva

Share.