Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se është arrestuar njëri nga të dyshuarit për shpërthimin e granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren, ku si pasojë u lënduan 10 persona.

Përmes një njoftimi për media nga prokuroria kanë bërë të ditur se dy të dyshuarit e tjerë janë ende në kërkim.

“Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, thuhet në komunikatë.

 

Tutje bëhet e ditur se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:50 të mëngjesit.

“Nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante policore për të hetuar rastin”.

 

Shefi i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, ka konfirmuar se të lënduarit që janë transferuar për në QKUK kanë lëndime në gjoks, qafë dhe ekstremitete.

“Pesë janë transferuar për në QKUK, të tjerët janë liruar për në shtëpi. Gjendja e tyre ka qenë stabile, kanë pasur lëndime në ekstremitete. Ndërsa, të tjerët kanë lëndime në gjoks, qafë dhe ekstremitete për atë janë dërguar në QKUK”, ka thënë Veçgishti.

 

Ndërkaq, shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile.

“Dy pacientë deri tani kanë arritur në Emergjencë, kanë lëndime joserioze dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë Syla.

 

/TV Malisheva

Share.