Rreth 21 vite më parë, më 15 janar 1999, u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në fshatin që pak kush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
Në fshatin Reçak, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, dy dekada më parë, i shpëtoi vdekjes Aziz Beqiri, të cilit iu masakrua nipi dhe gjashtë të afërm të tjerë.
Tre muaj para masakrës së Reçakut, ishte vendosur misioni i OSBE-së, detyra e të cilëve ishte që të siguroheshin që po ndaleshin luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së. E, shefi i misionit ishte William Walker, një ish-diplomat amerikan.
E këtë masakër presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur një krim të fabrikuar. Ai ka akuzuar edhe Walkerin për falsifikim të saj.
Sipas Aziz Beqirit, për këtë masakër di e gjithë bota dhe nuk do të ketë mundësi të mohohet nga askush.