Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti – Selimi, është duke marrë pjesë në Forumin Parlamentar të Intelegjencës dhe Sigurisë, në Budapest të Hungarisë.

Në një njoftim të Ambasadës Hungareze në Kosovë, bëhet e ditur se në këtë Forum po trajtohen tema të rëndësishme të sigurisë globale, si kërcënimet terroriste, financimi i tyre, krimi i organizuar, siguria kibernetike dhe bashkëpunimi në fushën e inteligjencës, po shërben në shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimit midis përfaqësuesëve parlamentar dhe zyrtarëve qeveritarë të shteteve të ndryshme të botës.

Ky forum është ndër më të mëdhat në botë, në të cilin trajtohen temat e Intelegjencës dhe Sigurisë.

Njoftimi i plotë nga Ambasada Hungareze:

6 Shtator 2021 – I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Hungari Naser Idrizi sëbashku me deputeten nga Kuvendi i Republikës së Kosovës znj. Shqipe Mehmeti-Selimi, po marrin pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë, i cili kësaj radhe po zhvillohet në kryeqytetin hungarez Budapest, nën organizimin e Parlamentit Hungarez dhe Ambasadës së SHBA-ve në Hungari. Ky forum, që konsiderohet nga forumet kryesore ndërkombëtare në fushën e sigurisë, dhe ku po trajtohen tema të rëndësishme të sigurisë globale, si kërcënimet terroriste, financimi i tyre, krimi i organizuar, siguria kibernetike dhe bashkëpunimi në fushën e inteligjencës, po shërben në shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimit midis përfaqësuesëve parlamentar dhe zyrtarëve qeveritarë të shteteve të ndryshme të botës. Gjatë këtij Forumi deputetja Mehmeti-Selimi, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Çështjet e Sigurisë pranë Kuvendit të Kosovës, bashkë me të Ngarkuarin me Punë Idrizi, patën rastin të takojnë dhe bashkëbisedojnë me homolog tjerë nga shtete të ndryshme të botës. Në këtë forum në mesin e panelistëve ishte edhe Kryeparlamentari Hungarez László Kövér dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregëtisë së Hungarisë Péter Szijjártó, të cilët në fjalimin e tyre vurën në dukje sfidat dhe krizat e fundit në politikën globale, duke theksuar rëndësinë në prioritetin e informacionit kundër shteteve jo-demokratike dhe grupeve terroriste dhe kriminale.
Deputetja Mehmeti-Selimi në kuadër të vizitës së saj në Budapest, bëri edhe një vizitë të shkurtër në Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku u njoftua për së afërmi me punën e Ambasadës dhe stafin e saj. /TV Malisheva

Share.