Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur rreth gjendjes me koronavirus në vendin tonë dhe ndërmarrjes së masave parandaluese për përhapjen e kësaj sëmundje vdekjeprurëse.

Ai ka thënë se deri në këto momente në Kosovë nuk ka asnjë rast të raportuar me koronavirus.

Në masat e marra si formë parandaluese është ndërprerja e mësimit deri në datën 27 mars, me qëllim që njëri prind të lirohet nga puna. Kjo masë nuk vlen për punëtorë shëndetësorë dhe ata të sigurisë.

Pezullohen linjat ajrore nga vendet me rrezik të mesëm dhe të lartë deri në një vendim tjetër.

Kontrolli mjekësor i qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike. Do të ketë vetëkarantim për qytetarët që vijnë nga vendet me rrezik të mesëm dhe të lart[ si formë parandalimi të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse.

Aktivitetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen pa publik, si koncerte, tubime, ngjarje sportive, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër. Të ndalohet veprimtaria e lokaleve dhe restoranteve, palestrave, klubeve të natës, pishinave pas orës 23.00.

Po ashtu parashihet ndalimi i eksportit të pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga prodhuesve dhe operatorët ekonomikë, përveç me vendim të qeverisë.

Të gjitha institucionet qeveritare, ato publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për dezinfektim që kanë të bëjnë me masa të MSH-së.

Ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas. Ata që shkelin rekomandimet do të dënohen sipas udhëzimeve në fuqi.

Vendimet mund të ndryshohen në kohë reale dhe për këtë mund të njoftohen me kohë qytetarët e Kosovës, tha ministri Vitia.

Të gjitha ndërmarrjet publike të kryejnë transport publik detyrohen të dezinfektojnë mjetet transportuese. Personat fizik dhe juridik që nuk i respektojnë, do të dënohen. /TV MALISHEVA/

Share.