1

Jam ftuar në një takim ndërkombëtar shkrimtarësh në Athinë. Ftesa qëllon në kohë të favorshme. Shqipëria më 1984 me këmbëngulje kërkon përmirësim marrëdhëniesh me fqinjin e Jugut. Takimi është në shtator. Ftesa është miratuar qysh në pranverë.
Kam dëshirë të shkoj në këtë takim. Dëshira shoqërohet me dyshimin se mos atmosfera politike turbullohet. Befas këtij dyshimi i shtohet një pengesë e re. Një krizë e përsëritur e shiatikut më rëndohet në fillim të verës, duke më bllokuar në shtrat.
I pari mendim i zymtë që më vjen, është rrezikimi i udhëtimit. Është hera e parë që ai nuk rrezikohet prej shtetit.

2

Vizitë nga dr. Preza. Si përherë, shoqërohet nga dr. Basha, dr. Preza nuk thotë asgjë pa kërkuar mendimin e dr. Bashës. Ky i fundit, nga ana e tij, përsërit përpiktazi ato që thotë dr. Preza.
Me sa duket, kam hernie diskale (dhjamth i shtyllës shpinore). Ndërkaq, përpara gjetjes së mjekimit të duhur afatgjatë, duhet përjashtuar dyshimi i kancerit. Ky është mendimi i dr. Prezës. Dhe, natyrisht, i dr. Bashës. Kur marrin vesh udhëtimin në Athinë, të dy këmbëngulin se duhet bërë një skaner atje. Për këtë do të më nxjerrin një autorizim.
Gjatë verës përpiqem të bëhem i riaftë për ecjen. Gjithë shqetësimin e kam se a do të jem në gjendje t’i bëj ata 200 a 300 hapa nga porta e daljes së ndërtesës së aeroportit gjer te shkalla e avionit.

Ndodhem në Athinë, në hotelin Astir Pallas. Pishinë, diell, luks, shkrimtarë. Mjedis që i jep dyshimit për kancer një ngjyrim të veçantë pikëllimi. Ia tregoj shqetësimin Danilo Kishit, fqinjit tim në hotel, me të cilin u njoha që në minutat e para të mbërritjes. Për çudi, në vend të më thoshte ‘s’ka gjë, mos çaj kryet!’, i jep rëndësi dhe më nxit të mos i shmangem vizitës. (Pak kohë më pas, ai do të kalonte vetë nëpër kalvarin e njohur.)

4

Në Athinë është ende nxehtë. I shmangem marrjes së fjalës në forum, ngaqë s’di ç’të them. Ose më mirë çdo gjë që mund të them mund të merret për keq. Nga të dyja anët: nga vendi im në radhë të parë, nga auditori ndoshta.
Atmosfera politike midis Shqipërisë dhe Greqisë befas keqësohet. Ajo që kisha frikë ka ndodhur, por tani s’më bën përshtypje fort. Në një darkë te zonja Fleming, vejusha e shpikësit të famshëm të penicilinës, më merren mendtë dhe rrëzohem. E zonja e shtëpisë e shqetësuar thërret një nga mjekët e njohur, mik të saj. Doktori i vjetër i shkollës angleze, me kostum të zi dhe orë me qostek, mbërrin në orën 11 pas darke. Më viziton. I them se kam një autorizim për skaner. Më thotë se duhet ta bëj patjetër. Më premton se do të ndërhyjë për të gjetur një vend në radhën e gjatë.

5

Në Athinë vazhdojnë prej disa ditësh manifestimet kundër Shqipërisë. Ambasada shqiptare është e rrethuar nga forca të shumta policie.
Nisem për të bërë skanerin me një makinë të ambasadës. Një makinë e policisë na ndjek pas. Në fillim punonjësi i ambasadës e quan atë ndjekje përgjim. Pas pak e ndërron vetë mendimin dhe e lavdëron: thjesht një kujdes për të na mbrojtur nga ndonjë provokim.
Në oborrin e spitalit makina e policisë nuk e fsheh që na shoqëron hap pas hapi. Madje njëri nga policët hyn brenda në spital fill pas meje. Tjetri rri te hyrja.

6

Një infermiere e hijshme interesohet për mua. Flet një frëngjishte të këndshme dhe më thotë të mos mërzitem.
Në të vërtetë, kam një lloj qetësie që mund të quhet edhe mpirje.
Infermierja hyn dhe del disa herë. Gjatë kalimeve vjedhurazi më shikon gjithë kureshtje, me sytë e saj gri të çelët. Më në fund, qëndron përballë meje.

-Më falni që po ju pyes, – më thotë me zë të ulët. – Ç’jeni ju?
Unë ngre supet.

-Pacient, – i them.

-E di që jeni i huaj, – vazhdon ajo, – por…
Nga një kthim i kokës drejt derës që çon në sallonin ngjitur, e kuptoj në çast përse e ka fjalën. Ka parë ose ka folur me policin, që ka zënë vend atje.
Buzëqesh dhe i them:

-Nuk jam i burgosur. Jam shkrimtar.

-Natyrisht, – thotë ajo, – s’e kisha fjalën atje… Më falni…
Sytë i ka të bukur, tepër të ëmbël dhe bardhësia e petkut të saj më duket tronditëse.
Gjithë mjedisi duket sikur fsheh një mundësi dashurimi, nga ato që për arsye që merren me mend, nuk kryhen kurrë.

7

Doktorët që do të më shikojnë, vijnë për të më takuar. Ata gjithashtu flasin frëngjisht. Janë tepër të sjellshëm, i ngjajnë mjekut me kostum të zi dhe me orë të vjetër me qostek. Të dy përmendin rekomandimin e zonjës Fleming.
Sytë e infermieres bëhen edhe më të ëmbël.
Është ajo që më ndihmon për t’u shtrirë nën mbulesën e rëndë të aparatit.
S’bëj ndonjë përpjekje për të mos menduar. Mendimet kanë ikur të gjitha, si të duan të më lënë të qetë. Mpirjes i shtohet përgjumja. Kërkëllimat e lehta të aparatit e shtojnë atë. Vizita vazhdon gjatë dhe më duket se mund të dremit. Por diçka e papritur më sjell në vete. Befas më ngjan se po e kuptoj të folurën e dy doktorëve që ndjekin në këmbë pamjen që jep aparati. Nuk kam ditur kurrë greqisht, veç disa fjalëve të pista, mësuar prej shokëve minoritarë të gjimnazit.
Befas vë re se veç fjalëve të pista, di edhe ca fjalë normale. Pikërisht ato që nuk duhej t’i dija.

-Dhenine dhiskales, – thotë njëri nga mjekët. – Ine allos. (S’është diskale. Është tjetër gjë.)
Pikërisht ajo që, me sa duket, ka dyshuar dr. Preza, mendoj. Dhe natyrisht, dr. Basha.
Dhe më tepër se ata të dy, unë vetë.

8

Një trishtim i një lloji të veçantë më kaplon befas. Si prerjet kirurgjikale që zbuten nga qetësuesit, ai nuk arrin të më shkaktojë therje të dhimbshme. Është ndoshta trajta prej sarkofagu e aparatit, zëri i mjekëve që vjen sipër tij, gjuha e huaj në të cilën shpallet dekreti, vetë thelbi i dekretit, që nuk pranon mëdyshje. As falje e stratagjema për t’i bërë bisht. Janë, me sa duket, të gjitha këto që, në vend të panikut më krijojnë njëfarë qetësie. Ine allos… Kaq ka qenë caktuar që të ndodhem në këtë botë. Të tjerë e kishin pasur afatin më të gjatë. Dhe po aq të tjerë më të shkurtër.
Një copë herë nuk arrij të gjej se ç’moshë kam. Natyrisht, po të përqendrohem qoftë edhe një grimë mund ta gjej, por, i mpirë siç jam, nuk i kap dot vetvetishëm, pa fjalë dhe pa shifra, vitet e qëndrimit tim në botë. Më parë se të ndodhë kjo, në trurin tim bëhet një tjetër njehsim. Shumë shkrimtarë kanë vdekur më të rinj se unë. Ndoshta gjysma, ka mundësi shumica… Pushkini, për shembull. Përse më kujtohet pikërisht ai? Nuk e di. Dhe aq më pak nuk jam në gjendje të gjej sa vite ai është më pak se unë. Për gjendjen time kjo ngjan vërtet tejet e vështirë.
Pra, Pushkini ka qenë më pak në këtë botë. Kjo është kryesorja. Ine allos. Ashtu si ai, ashtu si mijëra sivëllezër të mi, unë do t’i bindem dekretit. Nga të gjitha dekretet që kemi vuajtur ky është më i pranueshmi. Je vetëm për vetëm përballë qiellit. Pa ndërmjetës. Pa duar të huaja.
Dhenine dhiskales. Ine allos. Fjalët më përsëriten pa dashjen time. Ka diçka që më ikën, që fshihet. Herë-herë më ngjan se e kap. Ka lidhje me atë që ky kumt i keq më erdhi nëpërmjet gjuhës greke. Asgjë tjetër s’më ka ardhur nëpërmjet saj. Në gjimnaz, midis marrëzive të shumta, kam qeshur si gjithë të tjerët, me greqishten e nxënësve minoritarë. Ka ndodhur shumë vjet më parë. Veç kësaj, s’kam menduar kurrë se një gjuhë mund të hakmerret kështu. Ine allos.

9

Mbulesa e shurdhët e aparatit nis të lëvizë ngadalë. Jam prapë i shtrirë, por tani jashtë bunkerit. Me sytë e lodhur shoh infermieren. Pastaj mjekët. Janë po ata, mjekët me sahate të vjetra me qostekë, që numërojnë orët që më mbeten në këtë botë. Bëj të ngrihem për të zbritur, por infermierja bën dy hapa drejt meje me ngut: ‘Non’, më thotë me zë të butë. ‘Vous ne pouvez pas’.
Më shpjegon se askush s’është në gjendje të zbresë menjëherë për shkak të marramendjes së fortë.
Dy mjekët vazhdojnë të flasin me zë të ulët, por kuptimi im i greqishtes ka marrë fund përgjithmonë.
Infermierja më afrohet edhe më.

-Tani mbështetuni tek unë për të zbritur.
Më kap krahun tim dhe ma vë rreth qafës së saj. Nga qafa, që ngjan edhe më e lëmuar nën petkun e bardhë, i vjen një erë e mirë. Ndërsa zbres, e lë kryet të afrohet edhe më te supi i infermieres dhe gjithë pikëllimi i lënies së kësaj bote, përpara se të lidhet me të afërmit, tempujt, katedralet dhe plazhet e gëzueshme, mblidhet befas tek ajo qafë vajze të panjohur.
Ajo më shoqëron gjer te ndenjësja dhe ulet përbri meje. Mjekët janë ende në këmbë përbri aparatit.

-Unë e di ç’kam, – i them vajzës.
Ajo vështron e habitur për të thënë ‘jo’.

-I dëgjova mjekët kur thanë ‘dhenine dhiskales. Ine allos’. Ce n’est pas une discale.
C’est autre chose.

-Kjo s’do të thotë ende asgjë, – thotë ajo. – Deshifrimi i fotografive të aparatit kërkon mjaft kohë. Ju kuptoni greqisht?

-Jo, përveç atyre fjalëve.
Vajza buzëqesh dhe përsëri bën ‘jo’ me krye. Ajo vështron nga mjekët. Heshtja bëhet e vështirë.

-A është polici përjashta?

-Me siguri. Pse pyesni?
Në të vërtetë, pyetjen e kisha bërë kot. Ose për të dëgjuar atë fjalë, që befas m’u duk e rëndësishme.
Sikur të mos ishin mjekët, e ndieja se do ta përqafoja atë vajzë dhe po aq natyrshëm do ta puthja. Një gjë të tillë e kam pasur gjithmonë të lehtë. Jam i sigurt se nuk do të kishte kundërshtim. Ritualet nuk prishen në fund të jetës.
Mjekët afrohen më në fund. Shtojnë se s’duhet të shqetësohem.
Sytë e vajzës janë të thellë, me një gri të dendur, të pafund. Më shoqëron në sallonin përbri, ku nëpunësi i ambasadës shqiptare dhe polici grek rrinë sikur s’kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Dalim njëri pas tjetrit të tre./Ex Libris

1984

Share.