Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, i akuzuar për mosraportim të pasurisë.

Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj Hysenit u shpall të martën, nga gjykatësi Sabit Sadikaj.

Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se Hyseni ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Kundër këtij aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Kurse, Hyseni lirohet nga shpenzimet gjyqësore.

Gjykatësi Sadikaj tha se gjykata erdhi në këtë vendim, duke u bazuar se mjetet me të cilat është blerë automjeti që rezulton i padeklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë, konkretisht automjeti “Volkswagen”, nuk është provuar se rrjedh nga ndonjë veprimtari kundërligjore, pra nuk ka dyshime se i akuzuari kishte ndonjë arsye për të mos e deklaruar këtë automjet, pasi kjo vepër kryhet vetëm me dashje.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvorica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Kurse, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Hyseni, kurse kërkesa e avokatit Podvorica është refuzuar si e pabazuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkont Skender Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij. Detajet nga aktakuza e plotë mund t’i gjeni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/TV Malisheva

Share.