Feronikeli dhe Prishtina kishin fatin që gjatë vitit që lëmë pas, ta përfaqësonin Kosovën në garat ndërkombëtare në futboll, saktësisht Nikli morri pjesë në kualifikime për në Ligën e Kampionëve, ndërsa, Prishtina si e dyta u paraqit në kualifikime për në Europa League.

Të dyja skuadrat nuk arritën dot që të kapnin fazën e grupeve të këtyre dy kompeticioneve, duke u eliminuar shumë herët, madje Prishtina nuk arriti ta kalojë as fazën e parë të këtyre parakualifikimeve.

Feronikeli si kampion i Kosovës, kishte siguruar pjesëmarrjen në parakualifikimet për në Ligën e Kampionëve, si dhe Prishtina në Europa League, pasi që Nikli ishte fitues i dy trofeve që sigurojnë garat ndërkombëtare.

Skuadra nga Drenasi arriti të kaloi parakualifikimet për në Ligën e Kampionëve, ku u ndesh me skuadra si Lincoln dhe Santa Coloma, të cilat i mposhti dhe kështu u bë pjesë e kualifikimeve për në garën më të madhe të klubeve.

Mirëpo në raundin e parë të këtyre kualifikimeve, Feronikeli u eliminua nga The New Saints, duke rënë më pas në kualifikimet për në Europa League.

Në raundin e dytë të këtyre kualifikimeve, Feronikeli u ndesh me skuadrën e Slovan Bratislavës, skuadër e cila mposhti kampionin e Kosovës në dy ndeshjet e zhvilluara dhe kështu Nikli mbeti jashtë garave evropiane.

Ndërsa sa i përket Prishtinës, aventura e skuadrës nga kryeqyteti në garat evropiane ishte mjaftë e shkurtër. Prishtinasit u eliminuan qysh në ndeshjen e parë pasi u mposht nga St Jospeh’s.

Analisti i futbollist, Erdin Hashani tha se të dyja skuadrat kosovare të cilat u paraqitën vitin që lamë pas në arenën ndërkombëtare, dështuan duke mos arritur ndonjë rezultat të kënaqshëm.

Hashani: Prishtina dhe Nikli dështuan në aventurën e tyre

 

“Nëse e shikojmë, kemi pritur shumë më shumë për Feronikelin është një vit i suksesshëm për shkak që fitoi kupën dhe titullin, por në arenën ndërkombëtare nuk është se ka bërë shumë. Kemi pritur shumë për shkak se nëse i shikojmë nuk është që i ka pasur kundërshtarët shumë të fortë, thuajse të gjithë kemi menduar që kundër TNS, ndoshta po kualifikohet por është ndoshta në futboll me rëndësi jo vetëm fati, por duhet të kesh edhe përvojë edhe ndoshta Feronikelit i ka munguar kjo përvojë. Ndërsa sa i përket Prishtinës, unë po mendoj që ka qenë një vit kisha me thënë ne arenën ndërkombëtare i dështuar sepse nuk e kalon as fazën e parë, për një Prishtinë që është ekipi më i madh në Kosovës, më i trofeshmi, atëherë unë mendoj që është një dështim”, tha Hashani.

Hashani i cili më parë ka drejtuar disa nga skuadrat në Kosovë, pohoi se Ballkani, Prishtina, Gjilani e Drita janë skuadrat të cilat vitin e ardhshëm mund të marrin pjesë në arenën ndërkombëtare, duke synuar për të arritur sukses më të madh se skuadrat të cilat më parë kanë marrë pjesë në këtë gara.

Hashani: Disa prej këtyre katër skuadrave do të na përfaqësojnë në Evropë

 

“Kisha me thanë janë katër skuadra që janë pretendente për Evropë. Është një kampionat shumë interesant, secilën herë po shkon më interesant, gjë që është e mirë për futbollin e Kosovës. Është Gjilani, Drita, Ballkani dhe Prishtina, këto skuadra që unë mendoj që do të na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare”, tha Hashani.

Analisti tjetër Ardian Llumnica mendon që paraqitjet e skuadrave të Kosovës në këto gara ka qenë e mirë dhe është pasqyrë reale e asaj se çfarë shohim në futbollin vendor.

Llumnica: Përformanca e skuadrave ka qenë e mirë

 

“Mendoj që FFK, por edhe të gjithë mekanizmat e saj dhe të futbollit kosovar duhet të bëjnë përpjekje të asaj që të nxjerrim kampion dhe fitues të Kupës real, dhe shumë të bindshëm në çdo segment. Mendoj që skuadrat kosovare nuk është pritur që të kenë përformanca ndoshta më të mirë në arenën ndërkombëtare edhe pse i kemi vërejtët tona që po eliminohen nga skuadra ende amatore por edhe skuadra jokredibile në bazë të cilësisë që kanë por marrë në përgjithësi mendoj që përfomanca e tyre ka qenë e mirë dhe është edhe reale”, tha Llumnica.

Edhe Llumnica mendo që katër skuadrat e para në renditjen tabelare, kanë gjasa më të mëdha për t’u paraqitur në arenën ndërkombëtare, ndërsa sa i përket Llapit dhe Feronikelit, mendon që kanë hyrë në disa reforma që mund të mos sjellin rezultate.

Llumnica: Garë e fortë për të marrë pjesë në garat evropiane

Video:

“Atëherë përkundër që diferenca në pikë është shumë e vogël, përkundër që konkurrenca është e madhe, mendoj që fituesi i kupës, kupa është një kompeticion tjetër dhe është pak e parashikueshme sepse mund të eliminohen në këtë xhiro, varësisht nga shorti, ndërsa në kampionat mendoj që do të jetë luftë e ashpër në mes të dy skuadrave nga Gjilani, Prishtinës dhe Ballkanit, përkundër që Llapi edhe Nikli i kanë skuadrat cilësorë, por kanë hyrë nëpër disa reforma që dinë të mos jenë të suksesshme në këtë periudhë”, deklaroi Llumnica.

Arsim Prepolli, tashmë ndihmës trajneri i Sunaj Keçit te skuadra e “Flamurtarit”, deklaroi se duke parë kundërshtarët e skuadrave kosovare, ai ka pritur më shumë nga skuadra e Niklit dhe e Prishtinës, mirëpo, gjithashtu ka edhe një këshillë për skuadrat të cilat vitin e ardhshëm synojnë arenën ndërkombëtarë.

Prepolli: Kemi pritur më shumë nga këto skuadra

 

“Po të them të drejtën kur i kam pa kundërshtarët, ndoshta kam prit pak më shumë. E dimë që Prishtina ka luajtur më një ekip amatorë, e kemi prit të gjithë që ka me kaluar tutje, duka marrë parasysh që gjithmonë cilësia ka qenë në anën e Prishtinës, por duhet me kuptuar se në Evropë luhet tjetër futboll, nuk është ajo ligë e Kosovës, se tash mundem të them se te ne luhet futbolli pak më i ngadaltë dhe thuajse shumica e ekipeve lojën pa top e kemi shumë pak. Po e shohim në Evropë, atje luhet më shumë loja pa top se thuajse loja me top, një lojtar nuk e ka posedimin e topit, nuk mundet t’i kaloj tre katër lojtarë apo me pushu deri sa të vjen topi. Duhet të mësohemi në qoftë se dëshirojmë me shkuar tutje dhe me luajt në Evropë, duhet të mësohemi të luajmë pak më shpejt dhe me luajt taktikisht, kisha me thënë pak më mirë”, tha Prepolli.

Kujtojmë që nga viti i ardhshëm Kosovën do ta përfaqësojnë tri skuadra në arenën ndërkombëtare.

Fituesi i titullit kampion, fituesi i Kupës dhe vendi i dytë, do ta kenë fatin që vitin e ardhshëm të marrin pjesë në këto gara. Kampioni merr pjesë në kualifikime për në Ligën e Kampionëve, ndërsa, vendi i dytë dhe fituesi i Kupës, marrin pjesë në kualifikime për në Europa League/Tv Malisheva/

Share.