Paraditen e sotme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një vizitë në Shërbimin Klinik dhe Spitalor të Kosovës, me ç’rast u takua me drejtorin e SHSKUK-së, Basri Sejdiu, atë të IKSHP-së, Naser Ramadani dhe stafin mjekësor të Klinikës Infektive.

Pas këtij takimi, në të cilin kreu i shtetit u njoftua hollësisht për masat e ndërmarra dhe menaxhimin e situatës karshi pandemisë COVID19, Thaçi i ka quajtur heronj dhe shembullin më të mirë në rajon stafin mjekësor të Kosovës.

Nga QKUK, kreu i shtetit apeloi tek qytetaret që të qëndrojnë në shtëpi gjatë këtyre ditëve, dhe t’i dëgjojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Thaçi: Rrini në shtëpi, respektoni rekomandimet e IKSHP-së

“Besoj se puna e të gjithë këtyre mjekëve është një punë që duhet pasur përkrahje prej të gjit hë njerëzve, të gjitha institucioneve dhe kjo përkrahje vetëm sa do të rritet. Shëndeti i qytetarëve është në duart e mjekëve, profesionistëve dhe klinikave por edhe të Institutit të Shëndetit Publik. Kam besim të plotë e për këtë u binda se sot me stafin mjekësor dhe kapacitetet e tyre dhe profesionalizmin e tyre që është model për rajonin, por edhe më gjerë për çka edhe i përgëzoj. Ndërsa, po ashtu, nga kjo hapësirë dëshiroj të dërgoj edhe sot mesazhin qytetarëve, ju ftoj të tregoni kujdes maksimal, solidaritet dhe qetësi për përmbajtje. Jam i bindur se së bashku do të tejkalojmë edhe këtë vështirësi, edhe këtë të keqe, dëgjoni dhe respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Mënyra më e mirë, më e saktë dhe e qartë për të preventuar COVID-19 është rrini në shtëpi. Duke qëndruar në shtëpi, ju ruani, veten, familjen dhe shoqërinë. Pra, mos dilni pa nevojë, rrini në shtëpi”, tha ai.

Kurse, drejtori i Shërbimit Klinik dhe Spitalor të Kosovës, Basri Sejdiu tha se përkrahja institucionale i motivon punëtorët mjekësorë që janë në vijë të parë të frontit për të luftuar pandeminë COVID19.

Ai njoftoi se mantelbardhët janë të mirë furnizuar me pajisje mbrojtëse, ndërsa theksoi se kanë siguruar shtretër të mjaftueshëm për pacientët potencial të prekur nga koronavirusi.

Sejdiu: Kemi shtretër të mjaftueshëm si dhe pajisje mbrojtëse për stafin mjekësor

“Në SHSKUK janë bërë organizime edhe më herët që tani po na gjenden që ne të ofrojmë shërbime sa më lehtë dhe sa më të relaksuar sepse janë krijuar mjaftë shtretër të mjekimi intensiv, hapësirat që kanë qenë në ndërtim i kemi në përfundim që të gjenden në për këto ditë dhe kemi liruar mjaftë klinika me shtretër që të kemi sa më shumë shtretër të lirë eventualisht për pacientët potencialë… Kemi shfrytëzuar TMD2 dhe TM3 i kemi shfrytëzuar nga furnizimi nëntë mujor që ta kemi tani në këto ditë edhe me blerje emergjente dhe kemi prioritizuar disa klinika dhe spitale që materiali të shpenzohet në mënyrë sa më racionale për mbrojtje të stafit dhe fatbardhësisht është në gjendje të mirë dhe furnizimi ndodh vazhdimisht”, tha ai,

Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani apeloi tek qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë higjienë personale, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalim karshi koronavirusit.

Ramadani: Do ia dalim duke na dëgjuar qytetarët dhe duke qëndruar në shtëpi

“E njoftuam për situatën epidemiologjike në Kosovës, rastet që po diagnostikohen dhe njëkohësisht e njoftuam edhe për ekipet të cilat janë në tërë territorin e Kosovës nga Instituti Kombëtar të cilët po bëjnë gjurmimin aktiv të të gjitha rasteve në vatrat e zbuluara COVID pozitiv dhe tashmë kontaktet janë të njohura dhe janë në kontroll të plotë duke zbatuar rekomandimet e Instituti dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ne besojmë që do ia dalim duke na dëgjuar qytetarët , duke qëndruar në shtëpi, duke mbajtur higjienën personale dhe duke e përmbajtur panikun i cili në këto momente nuk ka nevojë të jetë”, deklaroi Ramadani.

Nga pandemia COVID19 deri tani në Kosovë janë infektuar 63 persona, ndërsa ka edhe një viktimë.

Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie ka ndërmarrë një sërë masash. Ndërsa nga dje ka nisur edhe kufizimi i lëvizjes të qytetarëve dhe veturave në orare të caktuara./TV MALISHEVA/

Share.