Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur sot në një konferencë për media edhe në lidhje me propozimin për shkarkimin e shtatë ambasadorëve të Kosovës në vende të ndryshme të botës, prej tyre edhe të Vlora Çitakut në Uashington.
“Unë do të respektoj ligjet dhe interesin e shtetit. Zyrtarët që e përfaqësojnë Kosovën do të vazhdojnë punën e tyre”, është shprehur Thaçi.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen e 7 ambasadorëve nga misionet diplomatike të Kosovës.
Në vendimin e Konjufcës shkruan se ai duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme ka kërkuar tërheqjen e këtyre ambasadorëve, siç e ka quajtur ai, politik.
Në bazë të kompetencave që ka presidenti që ia jep Kushtetuta e vendit, është vetëm ai që shkarkon dhe emëron ambasador te shtetit të Kosovës.
Sipas nenit 88, pikur 25, të Kushtetutës së Kosovës, presidenti ka drejtën për t’i shkarkuar dhe emëruar të gjitha shefat e misioneve diplomatike me propozimin e Qeverisë/TV Malisheva/