Presidenti i vendit nesër do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese pezullimin dhe anulimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes së cilës kufizohet lëvizja e qytetarëve.

Ai tha se sonte në mënyrë flagrante është shkelur Kushtetuta e Kosovës, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve dhe Policisë së Kosovës që të mos zbatojnë këtë vendim, pasi sipas tij kështu do të kryejnë vepër penale.

Në orë të vona të natës, presidenti Thaçi para gazetarëve ka thënë se ndalimi i lëvizjes së qytetarëve bëhet vetëm atëherë kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e që një gjë e tillë është kundërshtuar nga Qeveria Kurti.

Thaçi: Qeveria Kurti sonte ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutës

“Jam detyruar që sonte të thërras mediat dhe përmes tyre t’iu drejtohem në këtë orë të vonë për shkak të një vendimi të rrezikshëm të Qeverisë së Kos ovës. Të rrezikshëm për siguri dhe qytetarët e vendit. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është e papërgjegjshme institucionalisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Vendimi për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve paraqet shmangie në të drejtat e lirive të njeriut që garantohen me Kushtetutë. Kufizimi i lirive të drejtave të qytetarëve, mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpall vetëm Kuvendi i Kosovës “, tha presidenti Thaçi.

Si garantues i funksionimit demokratik të Kosovës, kreu i shtetit tonë tha se ai do ta kundërshtojë çdo institucion që e shkel Kushtetutën si aktin më të lartë juridik.

Thaçi: Qeveria sonte ka shkelur një mori nenesh

“Me këtë vendim sonte në orë të vona të Qeverisë së Kosovës, Qeveria Kurti ka shkelur një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës, që specifikohen shumë qartë në nenin 56 -“Të drejtat dhe liritë themelore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme”, pra neni 56. Neni 56, nën 1 thuhet” Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme sipas saj kushtetute, dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna… 2. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23,24,25, 27, 28, 29, 31,33,34,37 dhe 38 i Kushtetutës së Kosovës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash, thuhet në Kushtetutën e Kosovës…Deri më sot kryeministri dhe qeveria kanë thënë se gjendje është krejtësisht nën kontroll sa i përket koronavirusit, dhe se ky ka qenë edhe arsye mbi bazë të së cilës kanë kundërshtuar për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Vendimi i qeverisë sot është krejtë sisht antikushtetues”, tha ndër tjerash Thaçi.

Ndër të tjera, presidenti Thaçi ka bërë me dije që nesër paradite do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese të pezullojë dhe të anulojë vendimin e Qeverisë Kurti për ndalimin e qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve nga dita e nesërme.

Thaçi: Qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese

(Video)

“Qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet kundër kushtetues, dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. Nënvizoj as Policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vet do të bëjnë vepër penale. Vendimi i qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pa zbatueshëm në tërë territorin e Kosovës. I njëjti kryeministër që refuzoi këmbëngulësisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme tani po merr vendimi antikushtetuese që privojnë qytetarët e vendit nga liritë e tyre themelore. Këto veprime po i bën jo për të mbrojtur qytetarët por të mbrojtur vetën e tij. Prandaj, nesër paradite do i kërkoj Gjykatës Kushtetuese pezullimin dhe anulimin e këtij vendimi në përputhshmëri me procedurat”, deklaroi Thaçi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.

Këto janë pikat e vendimit:

1.Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmen ti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

2. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuara si me të rëndësishme sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

3. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

4. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund t marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

5. Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. /TV MALISHEVA/

Share.