Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar opinion për përputhshmërinë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve me Kushtetutën e vendit.

Kreu i shtetit tha se ky vendim i Qeverisë së Kosovës është antikushtetues, ndërsa bëri të ditur se ka kërkuar edhe masë të përkohshme të këtij vendimi.

Thaçi: Kam vendosur që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Qeverisë

 

“Si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese, në kërkesë për interpretim të çështjes së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë. Pra, parashtruesi i kërkesës është presidenti i Republikës së Kosovës, lënda që është përcjell do të shqyrtohet në përputhshmëri me Kushtetutë dhe ligje nga Gjykata Kushtetuese. Ku janë të përfshira të gjitha nenet që ne kemi besim, por është edhe e njohur praktikisht që janë shkelur nga Qeveria e Kosovës edhe sa i përket nenit 21, 35, 43, 55… Kemi kërkuar që në një të ardhme të afërt, pasi që edhe situata veç është emergjente, pra kemi bërë kërkesë për masë të përkohshme fillimisht nga Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Presidenti Thaçi, në një konferencë për media bëri të ditur se i ka dërguar edhe një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, përmes të cilës i ka kërkuar që ta pezullojë vendimin deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka krijuar panik, konfuzion, paqartësi dhe frikë të madhe tek qytetarët e ve ndit, ndërsa ka akuzuar kreun e Qeverisë se për agjenda politike po krijon panik tek qytetarët.

Thaçi: I kam dërguar letër Kurtit që të pezullojë vendimin

 

“I jam drejtuar me një letër para pak çastesh edhe kryeministrit të Qeverisë së Kosovës z.Kurti që të rishqyrtojë vendimin e tij që ka krijuar panik, konfuzion, e paqartësi e frikë të madhe tek qytetarët, ka krijuar tollovi nëpër vendet e shitblerjes me mundësi të përhapjes masive të koronavirusit, që ta pezullojë atë vendim deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sepse para pak ditësh ishte po i njëjti kryeministër kur unë me sugjerimin e shumicës së liderëve të partive politike propozova gjendjen e jashtëzakonshme kundërshtoi këmbëngulësisht me kokëfortësi, me asnjë argument gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërsa, tash me një agjendë politike të pastër krijon një rrethanë konfuzion, panik, paqartësi të madhe tek njerëzit anë e mbanë Kosovës”, tha ai.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve, Thaçi tha se është krijuar një panik tek qytetarët, e të cilët tha se janë detyruar të dalin për furnizim duke krijuar tollovi.

Thaçi: Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë ka provokuar rrethanë të re të paqartësisë dhe frikës

 

“Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë ka provokuar rrethanë të re të paqartësisë dhe frikës. Jemi dëshmitar të gjithë edhe unë edhe ju media edhe ju qytetarë të nderuar, që sot njerëzit janë detyruar nga ky konfuzion të dalin e të furnizohen vetëm në mëngjes, duke shkaktuar tollovi në kundërshtim me rekomandimet e IKSHPK-së, e ato tollovi janë sot masive dhe jemi dëshmitar vet në vendet e shitblerjes të mallrave dhe gjësendeve të nevojshme, të domosdoshme për jetën e njerëz ve. Prandaj, ato tollovi sot të krijuara që janë masive dhe që janë të përcjella me fotografi e live, janë rreziku që ka krijuar rrethana e re nga Qeveria e Kosovës, janë rreziku për shpërthimin e virusit masovikisht, sepse i ka detyruar, i ka frikësuar dhe ka krijuar panik tek qytetarët për të dal në mënyrë urgjente dhe kjo urgjencë ka sjell një tollovi masive me rrezik permanent për zgjerimin e koronavirusit”, tha Thaçi.

Thaçi tha se mbi Kushtetutën e vendit dhe ligjeve nuk qëndron askush, e që sipas tij askush nuk ka të drejtë të shkel Kushtetutën dhe ligjet për asnjë agjendë politike. Ai tha se shëndeti publik është mbi të gjitha, mbi çdo agjendë, ideologji apo parti.

Kreu i shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të përfillin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe u ka bërë thirrje që të rrinë në shtëpitë e tyre. Preventiva më e mirë për t’i ikur të keqes, Thaçi tha se është që të rrinë të gjithë në shtëpitë e tyre me familjarët e tyre.

Ai ka falënderuar mjekët, infermierët, policët, ushtarët, të gjithë njësitë emergjente, punëtorët e KEK-ut, KEDS-it, furrtarët, bizneset, mediat për punën e bërë gjatë kësaj kohe

Share.