Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë të vonshme për media, ka akuzuar Qeverinë Kurti për shkelje të Kushtetutës me rastin e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, teksa ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Kushtetueses për anulimin e këtij vendimi.

Ai ka thënë se vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm nga ana e Kuvendit të Kosovës.

” Jam detyruar që sonte të thërras mediat dhe përmes tyre t’iu drejtohem në këtë orë të vonë për shkak të vendimit të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës për sigurinë dhe qytetarët e vendit. Kryeministri dhe qeveria kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës. Është në kundërshtimin me ligjet e Kosovës. Vendimi për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve… Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Një gjendje e tillë nuk ekziston”, tha Thaçi.

Ai tha qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese të Qeverisë Kurtit dhe se as policia nuk duhet të zbatojë këto vendime, pasi nuk kanë efekte juridike.

Ai tha se nesër paradite do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar këtë vendim.

I pyetur se çfarë duhet të bëjnë qytetarët, ai tha se nuk duhet të zbatojnë këto vendime të marra sot nga Qeveria Kurti.

Masat e ekzekutivit kosovar pritet të ndalojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Qeveria sipas këtij vendimi ka shkelur disa nene të Kushtetutës që specifikohen në Nenin 56 – Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme.

-Neni 56

Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.

Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38 të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”, thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kosova nuk ka ligj për “orë policore” dhe në Nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore], paragrafi 1 i Kushtetutës, thuhet se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.

Po ashtu, as Ligji Nr. 04/-L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera dhe as Ligji Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse nuk e parashohin mundësinë për një kufizim të tillë./TV MALISHEVA/

Share.