Në Tiranë çdo gjë është gati për të filluar Samiti BE-Ballkani Perëndimor, raporton KosovaPress. Ky samit, është i pari që po zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në Bashkim Evropian dhe ka në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë si dhe krizën e migracionit.

Në këtë samit, Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani e cila do të theksojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit.

“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Arritja e liderëve do të fillojë nga ora 9:30 dhe ata do të priten në Sheshin Italia nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërsa punimet e samitit do të zhvillohen në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare.

Është marrëveshja për tarifat ‘Roaming’ mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian e cila cakton uljen e tarfiave në vitin e ardhshëm, që pritet të nënshkruhet sot në Tiranë në kuadër te këtij samiti.

Krerët e Bashkimit Evropian do të presin përkushtimin e vendeve të rajonit ndaj vlerave të përbashkëta dhe në fund do të nënshkruhet deklarata që do të njihet “Deklarata e Tiranës”.

Kjo është hera e parë qe Tirana mirëpret krerët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamuj të Bashkimit Evropian krah atij shqiptar, kuq e zi.  /TV Malisheva 

Share.