DASHURI ILIRISHTE
Komandantit legjendar Adem Jashari
Nëse dua, të takoj përditë?!
Shumë thjesht e madhërisht
rrafshove brigjet e kundrimit,
dashurinë ilegale për Atdheun
e shtrydhe në kohën kalimtare,
Kosovës ia ktheve përsëri stinët
të mos mbarojë rrjedha e dashurisë
me burim zanafille që nga Iliria.
GJURMËVE TË ETNOGJENEZËS
Afër koloseut gravuar në mermer
një hartë e shekullit të VII-të
tregon heshtur të shtrirë ILLYRINË,
në të majtë në një pikë Romën,
e në të djathtë Thrakin.
Dëgjoj anash cicëronët e djersitur
duke folur gjuhët e botës,
asnjëri asnjë fjalë Arbërisht
shpirti më lëndohet,
e si më zgjoi kujtesa e fjalëve të Tahir Berishës
kur e pyetën me hipotezë sherri sllavët,
plako, prej kur jeni këtej?!
“Tremijë vjet para dreqit”
u përgjigjë arbërisht!
Erdha bashkë me shpirtin e trazuar,
për t`a kërkuar rrashtin e kokës
ndonëse nuk po mund ti mbledhë gjymtyrët.
Erdha, se më solli rrënja që më ushqen arbërisht,
erdha gjurmëve të lashta mijëvjeqare të shkallmuara
nga barbarët helenë, romakë, bizantinë dhe sllavë!
BUZËQESHJE JETËS
Dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladroci
Lisat e Çiçavicës përshpërisnin
simfoninë epike të pambaruar
me krismat e maliherit të Azem Galicës.
Kur Xheva u bashkua me vëllezër
u dëgjua troku i kalit mitik,
u kthye balada e lashtë
ngarkuar me uverturë Lirie.
Kërkova ballin e Fehmiut
dhe e gjeta në buzëqeshje
ngritur lart majëmaleve
derdhur në rreze Lirie.
Nga gjaku i bashkëshortëve kapedanë
Liria e flamuri, e mbështjellin Arbërinë.
ME KOKË MBRAPA
Nga varret e Çamërisë
shkrehen molekulat e ADN-së,
nëpër gur dhimbje kapërcejn
e në vallet çame gjejnë strehë.
Çamëri, gjak i derdhur i motit `13,
copëz kujtimi shkëputur nga heshtja.
Edhe nëse shkoj…
Koka më mbetët mbrapa Çamëri!
BRENGË NË KALIM
U bë e rrumbullakët fjala…
Ende nuk po mund t`ia kap fillin
fjalës moderne, demokratike!
Me peshën fiktive e lavroj hapësirën,
rrokullisi e shpoj gur…!
U tremben edhe bishat në mal!
RREZE DIELLI
Ahmet Pozharit
(Mësuesit të artit figurativ)
Edhe pse mbrapa grilave
kujtonim Amstrongun, Brunon
e kthenim në Krujë e Vlorë,
fjalët tona kalonin fortësinë
e grilave dhe betonit në burgun e Pejës.
Shpeshherë kujtoje nxënësit,
më thoshe me ngashërim;
do t`a pikturojnë diellin
për jetën, për Atdheun,
ora e vizatimit do të vazhdojë
edhe me mungesën time!
RRJEDHË LIRIE
Dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka
Dhe sa herë vijnë janarët
derdhet malli butësisht,
bashkë me tingujt e kitarës së Jusufit
akordohet me valët e Drinit të Bardhë,
nuk harron të ngjitet
në majen e Kikës në Poliçkë
dikur fanar me “Këngët e lirisë”
kur poshtë në dridhje
robëria numronte ditët në gishta.
Dhe sa herë vijnë janarët
më duket sikur bora nuk ngrinë
mbi ato gjurmë gjaku, rrjedhë lirie.
SHKËPUTJE NGA ËNDRRA
Dëshmorit Agim Mazreku
Me këngën majekrahu këmbanë,
shpupuriste ëndrrën e kthimit
nëpër trungun me rrënjë copëzuar
duke frymuar tingujt e Lirisë refren
mbi supet e atdheut në robëri.
Pazhurmë erdhi Agimi
u rreshtua në UÇK,
e në shtëpitë e Sllupit u dëgjua
Erdhi Agimi, erdhi…!
Me shpalos përsëri flamurin
e me i dhanë shpirt këngës
“ S`bahet dasem pa flamur”
RETROSPEKTIVË
Dikur isha i njëjtë me zogjtë e qiellit,
trupi më vishej me ngjyrat e stinëve,
kam pagëzuar, vallëzuar e folur me yjet.
Tani, kujtimet e shkundura më vien ëmbël
i mbajë të ngujuara ato gjurmë kënaqësie
të asaj bote fëmijërore me ëndrra të bardha
kur nuk dija hilet e ligjit të drejtpeshimit…!
UDHËS SË SHPIRTIT
( Heroit kombëtar Metush Krasniqi )
U trupëzove në udhën e Lirisë,
emri yt u bë drejtëz që lidhi brezat.
Ndër mote
sa shumë u grrithën udhët
vërshuar nga hienat
ardhur nga të gjitha horizontet
blozë na e bënë hartën.
Kapur në lozën pellazge
u trupëzove në udhën e shpirtit
për t`a mbledhur Lirinë…
NË VIJË GJAKU
Dëshmorit Visar Krasniqi
Nuk të mbështillte dot
harta e atdheut të copëzuar
dhe u nise asaj rruge të moçme
me përmallim për ILIRIDËN
atje ku i bihet deri në fund
kufirit të imazhit me ushtim lirie
mbuluar me pëlhurën e dhimbjes.
Pllajave të Mateçit nëpër të çara
u trupëzove, e mbete vijë gjaku.

Share.