Një sfilatë e organizuar nga dizajneri Valdrin Sahiti, e ku mori pjesë edhe presidentja e shtetit ka nxitur një reagim të gjatë e të detajuar të publicistit, Baton Haxhiu.

Nga një sfilatë e tillë, Haxhiu ka marrë shkas të flasë edhe për stilin e kryeministrit Kurti dhe për atë që Vetëvendosje para se të vinte në pushtet ishte një parti anti-kravatë, meqë Kurti thoshte se kravata “është simbol i ndarjes klasore”.

“Me flokë të pakrehura, herë me xhemper të pashije vija-vija, herë me këmisha të pahekurosur pa pedanteri minimale, Albin Kurti i mësonte të tijtë se ‘kravata është simbol i ndarjes klasore’. Një qëndrim i tillë, sikurse edhe shumë të tjera të Albin Kurtit, është aq palidhje sa nuk meriton vëmendje të mëtejshme këtu”, ka shkruar Haxhiu.

Më tej ai ka kritikuar edhe përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët s’kanë bërë fare zë kur lideri i tyre Albin Kurti u shfaq nëpër studio televizive me kravatë.

Haxhiu iu referohet përkrahësve të Kurtit si “tufë të marrësh”, dhe thotë se e futën kokën nën dhe si “strucë të zgjebosur”, kur Kurti u shfaqë me kravatë dhe se debati nëse kravata është mendjemadhësi, simbol borgjez apo tregues i mikroborgjezisë u gropos.

“Gjithsesi, mbetet shqetësuese që për gati dy legjislatura një pjesë e madhe e shoqërisë së Kosovës, për të mos fol për anëtarësinë e verbër të kësaj ndërmarrje të pazarxhinjëve të tenderëve e punësimeve me lista nëpër institucione publike, i ndërsyen njeri-tjetrit në biseda nëse kravata është ‘mendjemadhësi’, ‘simbol borgjez’ apo ‘tregues i mikroborgjezisë’. Bukur shumë.

Kjo tufë të marrësh e futën kryet nën dhe si strucë të zgjebosur, po atë çast kur Albin Kurti u shfaq i zgërdhirë në ekrane televizive me kravatë lidhur rreth qafës. Pas kësaj jo që u gropos debati për njerëzit që mbajnë kravata në këtë vend, po Albin Kurti i mësynte edhe livadhet, fushat, arat e zabelet e Kosovës, nga Çakorri deri në fshatrat më të harruar të Kosovës, në 40 gradë celsius, veshur me farmak e kravatë në fyt.

Kjo s’është punë veshjesh as shijesh personale: kjo është punë njeriu që ka ndërsyer pa asnjë fre, kundër atyre që mbajnë ora të shtrenjta, kravata me ngjyra, farmerka firmato”, ka shkruar Haxhiu.

/TV Malisheva

Share.