Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se deri më tani nuk është paraqitur asnjë rast me efekte anësore te të vaksinuarit me AstraZeneca.

Në vizitën që i bëri dje Qendrës së vaksinimit në sallën “1 tetor” në Prishtinë, ministri Vitia bëri të ditur edhe se kontingjenti tjetër i vaksinave do të vijë në fund të këtij muaji ose fillim të muajit maj. Derisa edhe sqaroi fotografinë që ka qarkulluar dje në medie, ku shihet duke mos respektuar masat antiCOVID-19.

Vitia: Vaksina është e sigurt, s’ka pas deri më tani asnjë efekt anësor

“Nuk ka pasur asnjë nevojë për t’u intervenuar, sepse të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor e vaksinuar deri më tani, nuk ka pasur asnjë efekt anësor, të padëshirueshëm, i cili do të mobilizonte ekipin e qendrës urgjente për intervenim. Me fjalë të tjera, vaksina është e sigurt dhe ftoj të gjithë qytetarët që janë mbi moshën 80-vjeç të lajmërohen dhe të vaksinohen. Të gjithë ata që për shkaqe objektive nuk kanë mundur të lajmërohen ose kanë pasur problem në përmbushje në aplikacion të gjithë do të vaksinohen. Do të bëhen ekipe mobile për persona të palëvizshëm ku do të shkohet të vaksinohen edhe në shtëpitë e tyre. Ky proces deri në arritjen e kontingjentit tjetër është një shembull se si punëtorët shëndetësorë kanë menaxhuar deri këtu”, tha ai.

Kreu i shëndetësisë pasi u njoftua nga afër me procesin e vaksinimit të të moshuarve mbi 81-vjeç, tha se vendi është ende në kohë për sigurimin e vaksinave.

Vitia: Kontingjenti i dytë i vaksinave pritet kah fundi i prillit ose fillimi i majit

“Kontingjenti i dytë i këtij grupi të vaksinave pritet të vijë kah fundi i prillit ose fillimi i majit. Këto janë fjalët që kemi nga mekanizmi COVAX. Por gjithsesi koha e vaksinimit, ashtu siç shkruhet, është për dozën e dytë të qershorit. Besoj që jemi me kohë, ndërkaq jemi në diskutime intensive me kompani prodhuese dhe shtetet mike që sa më shumë dhe shpejt të marrim vaksina tjera”, u shpreh ai.

Derisa apeloi për respektim të masave antiCOVID-19, Vitia u pyet nga KosovaPress lidhur me zbatimin e të njëjtave sa nuk ka qenë ministër.

Vitia: Ka qenë një ndejë me miq dhe familjarë në mars, por nuk më shfajëson

“Nëse i referoheni një fotografie që ka qarkulluar dje në medie, është një ndejë në fillim të marsit që kam qenë me miq dhe familjarë, në një kohë kur kanë qenë disa masa të tjera. Pavarësisht kësaj, kjo nuk më shfajëson mua. Pavarësisht kësaj, as unë dhe as kush tjetër nuk duhet të rrezikojë shëndetin publik. Prandaj bëj thirrje që secili nga ne, pavarësisht të respektohen masat e reja, pasi është mënyra e vetme për të ndalur trendin e virusit. Duhet ta kemi parasysh se shumica e pacientëve në QKUK ditët e fundit janë me oksigjeno-terapi dhe janë në gjendje të rëndë”, u shpreh ai.

Procesi i vaksinimit të personelit shëndetësor në Kosovë ka përfunduar, derisa sot ka filluar vaksinimi i qytetarëve mbi 81-vjeç./TV Malisheva

Share.