Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka kritikuar Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari për siç thotë  indiferencën që po tregon karshi shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës që ka bërë kjo qeveri. Bytyçi theksoi se mbrojtja e këtyre të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetuta është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Avokatit të Popullit.

Sipas Bytyçit “Nga njëra anë Avokati i Popullit, Jashari dërgon në gjykatë kushtetuese një çështje si ligji i pagave duke lënë sot ende pa rrogat që meritojnë mjekët” dhe nga ana tjetër “rri duarkryq kur qeveria haptazi manifeston tendenca autoritare duke shkelur kushtetutën.”

Ai e ka kritikuar Jasharin duke thënë se nga avokat i popullit ky është bërë avokat i partisë dhe do ishte mirë që ta linte këtë vend e të futej “haptazi në Vetëvendosje dhe t’ia lëri pozitën dikujt më të përgje gjshëm që ka më të shtrenjtën Kushtetutën dhe jo partinë dhe udhëheqësin e saj, shokun Kurti”.

Postimi i plotë i Bytyçit në facebook është si më poshtë:

Qeveria e shkarkuar e Kosovës sapo ka shkelur për herën e disatë Kushtetutën e Kosovës me një vendim arbitrar që ka shpërfillur totalisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është shkelja e disatë e rëndë e radhës e qeverisë në ikje të Kurtit dhe avokati i popullit Hilmi Jashari nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë për këto cënime të rendit kushtetues dhe shkelje të lirive themelore të qytetarëve.

Z. Jashari, në detyrën e tij si Avokat i Popullit e ka si obligim që të “mbikëqyr dhe mbroj të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.” Ku ka shkelje më të rënda sesa ato që qeveria ka bërë përkundrejt të drejtave kushtetuese të qytetarëve t ë Kosovës.

Nga njëra anë Avokati i Popullit, Jashari dërgon në gjykatë kushtetuese një çështje si ligji i pagave duke lënë sot ende pa rrogat që meritojnë mjekët, infermierët e të gjithë nëpunësit që janë në vijën e parë të frontit. Nga ana tjetër rri duarkryq kur qeveria haptazi manifeston tendenca autoritare duke shkelur kushtetutën.

Me sa duket, Avokati aktual i popullit e ka zëvendësuar popullin me partinë, dhe ka vendosur që të futet në taborrin e mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosjes duke neglizhuar detyrën e tij të shenjtë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Mbase do ishte më e ndershme që avokati aktual i popullit të përfshihet haptazi në Vetëvendosje dhe t’ia lëri pozitën dikujt më të përgjegjshëm që ka më të shtrenjtën Kushtetutën dhe jo partinë dhe udhëheqësin e saj, shokun Kurti/Tv Malisheva

Share.