Këtë të martë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Nga zyra e kryeministrit thonë se Haradinaj ka kërkuar përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në dialog krahas Bashkimit Evropian.

Po ashtu thuhet se Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini. Kryeministri Kurti e njoftoi z. Haradinaj për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë. Z. Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian. Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e Kryeministrit Kurti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.

Ndërsa Haradinaj pas takimit me Kurtin tha se mungesa e ShBA-së në procesin e dialogut dhe konfuzioni në agjendën e Brukselit është shqetësuese.

Ai po ashtu tha se edhe ikja prej faktit se Kosova ka bërë luftë çlirimtare nuk i bënë mirë vendit.

Takimit të sotëm i Kutit dhe Haradinaj i ka paraprirë ftesa që kryeministri u’a ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës./TV Malisheva

Share.