Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka propozuar Qeverisë në detyrë që të ndajë menjëherë secilit qytetar të Kosovës nga 100 euro për të tejkaluar krizën e shkaktuar nga pandemia Covid 19. Derisa vlerësojnë se masat ekonomike të Qeverisë Kurti janë të pamjaftueshme dhe se implementimi i tyre po shkon shumë ngadalë.
Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi në një konferencë për media, tha se i gjithë kjo mbështetje ndaj qytetarëve do të ishte rreth 170 milionë euro. Sipas tij, ato mund të siguroheshin në rritjen e borxhit publik dhe mundësisë së shfrytëzimit të mjeteve nga APK-ja.
Abrashi: Propozojmë të ndahen 100 euro për secilin qytetar të Kosovës
“Si kurrë më parë, secili qytetar duhet ta ndjejë dorën e shtetit. Ne si AAK propozojmë si mbështetje të menjëhershme ndarjen e nga 100 eurove për secilin qytetar t ë Kosovës. Mbështetja do të shpërndahej bazuar në ekstraktet familjare në secilën komunë të Kosovës…nga llogaritjet e bëra vlera e kësaj mbështetje di të ishte rreth 170 milionë euro dhe këto mjete duhet të sigurohen sa më shpejt”, tha Abrashi.
Duke e cilësuar si të pamjaftueshme pakon e qeverisë, deputeti Abrashi tha se situata kërkon reagim më të fuqishëm. Për këtë kërkoi një fond shtesë së paku 300 milionë euro.
Abrashi: Pakoja emergjente e qeverisë është e pamjaftueshme
“Pakoja emergjente e qeverisë së Kosovës për ndihmesë në përballje me pasojat e pandemisë në vlerë 170 milionë euro është e pamjaftueshme. Situata kërkon reagim më të fuqishëm dhe të shpejtë se dëmet që po shkaktohen mund të jenë të pariparueshme nëse nuk reagohet menjëherë. Kosovës i duhet një plan i ri ekonomik i qartë dhe efektiv i hartuar nga një task force kompetente”, tha ai.
Për gjitha këto, deputeti i AAK-së kërkoi një seancë të jashtëzakonshme plenare.
Abrashi: E shohim të nevojshme mbledhjen e kuvendit
“Ne si AAK e shohim të nevojshme mbledhjen e Kuvendit të Kosovës për të adresuar masat që duhet ndërmarrë”, shtoi ai.
Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës javën e kaluar ka kërkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Derisa edhe ata e kanë cilësuar pakon emergjente të qeverisë rreth 200 milionë euro të pamjaftueshme për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe shëndetësore që ka shkaktuar pandemia Covid 19./Tv Malisheva