Dy fëmijë të moshës 12 dhe 13-vjeç kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në një shtëpi në Ujz të Gjakovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 09:05 dhe patrulla policore së bashku me ekipin e zjarrfikësve kanë arritur në vendngjarje të cilët kanë bërë lokalizimin e zjarrit.
Brenda shtëpisë kanë qenë dy fëmijë të moshës 12 dhe 13-vjeçare, të cilët janë djegur dhe karbonizuar tërësisht nga zjarri.
Po ashtu një person, prindi i njërit nga viktimat, duke tentuar që ta bëjë lokalizimin e zjarrit, ka pësuar lëndime të lehta trupore në pjesët e ndryshme të trupit.
Në vendngjarje kanë dalë ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e dy fëmijëve, si dhe kanë ofruar tretman mjekësor personit të lënduar, i cili është jashtë rrezikut për jetë.
Shtëpia është djegur tërësisht dhe vlera e dëmit për momentin nuk dihet. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe eksperti i preventivës i zjarreve, si dhe prokurori kujdestar.
Përfaqësuesit e Institutit të mjekësisë ligjore pas orës 12:00, ka bërë tërheqjen e trupave të pajetë për obduksion.
Hetimet në vijimësi të zbardhjes së shkaqeve të zjarrit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /TV Malisheva