Komuna e Ferizajt ka marrë të gjitha masat mbrojtëse për ballafaqimin me koronavirusin dhe deri më tash nuk është konfirmuar asnjë rast me të prekur nga kjo sëmundje.

Shtabi Emergjent i Komunës së Ferizajt sot ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit në parqe e hapësira tjera malore, për të shmangur ekspozimin masiv ndaj COVID-19.

Me këtë rast është bërë e ditur se furnizimi me ujë të pijshëm është duke u zhvilluar pa probleme, teksa qytetarët ftohen për kursim maksimal të ujit.

Komuna e Ferizajt ka dezinfektuar sheshet, rrugët kryesore dhe ato dytësore me frekuentim e dendësi më të madhe të qytetarëve, si formë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Qytetarët apelohen të mbrojnë malet e fushat, duke mos ndezur zjarre, në të kundërtën do të ketë dënime.

“Nuk është dita për shëtitje, as të lejojmë të rrjedhë kot çezma e ujit, ndezja e zjarreve jo e jo, andaj mbrojmë veten, familjen e gjithë shoqërinë duke respektuar këto masa”, thuhet në njoftimin e Shtabit emergjent.

Share.