Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vizituar sot Qendrën Regjionale të Shëndetit Publik, ku është konstatuar se nuk ka raste të reja dhe ato të deritanishmet janë duke u trajtuar nga institucionet shëndetësore, duke monitoruar vetizolimin e familjeve me të cilat kanë pasur kontakt të prekurit.
Ismajli potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha hallkat shtetërore që janë duke u marrë intensivisht me parandalim dhe kontrollin e gjendjes, për të mos lejuar përhapjen e rasteve me pandemi në rreze më të gjerë.
“Jemi duke punuar të gjithë së bashku që këtë situatë ta kalojmë me lehtësi. Janë të mobilizuara të gjitha institucionet me kujdestari 24 orësh për të garantuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët që kërkojnë mbështetjen dhe trajtimin mjekësor”, ka thënë Ismajli.
Komuna e Gjilanit ka bërë dezinfektimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zhegër, Cërnicë dhe në klubin e gazetarëve “Beqir Musliu”, derisa në ditët në vijim do të bëhet dezinfektimi i objekteve të vjetra të banimit kolektiv në qendrën e qytetit, me kërkesën e banorëve.