Pas paraqitjes së rasteve të para të Covid 19 në Kosovë dhe shpalljes së pandemisë globale nga Organizata Botërore e Shëndetit, KEDS është mobilizuar maksimalisht, në mënyrë që furnizimi me energji elektrike të jetë stabil në Kosovë.

Kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, por me dedikimin e madh të stafit është punuar pandërprerë për të mbajtur sistemin energjetik të balancuar, thuhet në një komunikatë për media.

KEDS falënderon punëtorët e tij duke thënë se rezultati i punës së secilit ka bërë që furnizimi të jetë i pandërprerë, jo vetëm deri tash, por edhe në javët dhe muajt që do të vijnë.

“Puna në KEDS, më shumë se kurdoherë është e një rëndësie të lartë. Është thelbësore për mirë funksionimin e spitaleve, ujësjellësit, fabrikave që sot prodhojnë pajisje të nevojshme medicinale dhe mbrojtëse, për median që na mbanë të informuar, e po a shtu edhe për furnizim me rrymë të pajisjeve elektronike që na mundësojnë komunikimit tonë të përditshëm duke punuar nga shtëpia apo për komunikim me më të dashurit tonë”, përfundon komunikata./ Tv Malisheva

Share.