Në fshatin Krushë e Madhe të Komunës së Rahovecit sot në 21-vjetorin e rënies u përkujtuan dëshmorët Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në tubim përkujtimorë morën pjesë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, familjar dhe bashkëluftëtar të dëshmorëve.
Një fjalë rasti në tubimin përkujtimor mbajti edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili tha Dalip Behra dhe Bekim Gashi me shokë i vunë gjoksin furtunës dhe vendosën të përballen me fatin, duke besuar se e drejta është në anën tonë dhe këtë luftë duhet ta fitojmë ne.
“Bijtë e Krushës së Madhe e ujitën tokën e dashur të vendlindjes me gjakun që po kjo tokë u fali. Ata e ndjenin se e kishin borxh luftën dhe rënien për liri, prandaj hynë me vendosmëri në këtë përballje. Sikur shumë shokë të tjerë dhe bashkëvendas të tyre e donin jetën, por jo jetën në robëri. Kjo i bën ata të jenë të veçantë dhe të kujtohen përherë me respekt e nderim. Dëshmorët që po i përkujtojmë sot dhe ata që ranë gjithandej trojeve shqiptare, na e lanë në dorë pishtarin e lirisë, pishtar që djeg e përvëlon secilin që nuk e mban si duhet dhe që nuk duhet të shuhet asnjëherë. Vetëm në këtë mënyrë do ta kemi rrugën të ndriçuar, sepse dëshmorët janë pishtarë të pashuar lirie. Jetësimi i lirisë me të gjitha të mirat e vështirësitë që ka, mbetet detyrë e çdoditshme dhe obligimi ynë i përhershëm”, ka thënë ai./ Tv Malisheva