Vetëm personat që kanë pasur leje dhe kanë qenë në listën që u lejohet hyrja në zonat e karantinuara kanë mundur të hyjnë sot në kryeqytet. Të gjithë të tjerët nga Policia e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në kryeqytet. E njëjta procedurë ka vlejtur edhe për personat që ia kanë mësyrë të dalin nga Prishtina.
Kryeqyteti nga mbrëmë është shpallur zonë karantinë, pasi numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar në 47 dhe Policia e Kosovës me njësitet e saj është e vendosur në të gjitha hyrje-daljet e qytetit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, tha për KosovaPress, se njësitet e Policisë së Kosovës janë në pikat e caktuara ku mund të ndalohet hyrja në kryeqytet dhe janë duke e realizuar detyrën e tyre.
Ai bëri të ditur se vetëm ato institucione apo kategori që parashihen në listën e MEPTINIS mund të hyjnë në Prishtinë, në të kundërtën t ë gjithë do të kthehen mbrapa.
Kelani: Lejohen vetëm institucionet apo kategoritë që parashihen në listën e MEPTINIS
“Policia e Kosovës tani veç i ka njësitet e caktuara nëpër të gjitha rajonet apo komunat ku është caktuar vendimi për karantimimin e tyre, përfshi edhe kryeqytetin. Njësitë tona janë në pikat e caktuara ku mund të ndalohet hyrja në kryeqytet dhe janë duke e realizuar detyrën e tyre. Njëkohësisht, lejohen vetëm ato institucione apo ato kategori që parashihen në listën e MEPTINIS për të hyrë në kryeqytet, në të kundërtën të gjithë ata që nuk kanë leje të caktuar për të hyrë kthehen mbrapa”, tha ai.
Edhe Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, tha për KosovaPress, se në kryeqytet mund të hyjnë vetëm ata persona që kanë leje nga niveli qendror.
Tahiri: Brenda Prishtinës mund të hyjnë vetëm ata që kanë leje të veçanta
Deri dje në ora 17.00, të gjithë ata që janë banorë të Prishtinës, por gjatë fundjavës kanë qenë diku tjetër u është lejuar që të hyjnë brenda, si dhe banorët e komunave të tjera që kanë qenë në Prishtinë u është lejuar që të dalin. Tash e tutje, brenda Prishtinës mund të hyjnë dhe jashtë Prishtinës mund të dalin vetëm ata që i kanë lejet e veçanta të dhëna nga institucionet përkatëse të nivelit qendror”, tha Tahiri.
Ai ka dhënë detaje edhe sa i përket shfrytëzimit të lejeve që janë lëshuar para shpalljes së Prishtinës zonë karantinë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës, që sipas tij vlejnë brenda Prishtinës dhe jo për të hyrë apo dalë nga kryeqyteti.
Tahiri: Lejet e mëhershme vlejnë edhe tani
“Kjo është çështje mes bizneseve dhe ministrisë. Ju e dini që ministritë përkatëse i kanë publikuar listat me kodet biznesore se cilat kanë të drejtë të opero jnë dhe cilat jo dhe përveç kësaj këtyre bizneseve iu nevojiten tash edhe lejet tjera që t’iu mundësohet të hyjnë brenda Prishtinës ose të dalin nga Prishtina me mjetet e tyre…Lejet që kanë qenë më herët janë leje që vlejnë edhe tash, por ato leje janë për lëvizje gjatë orës policore, nuk janë leje për hyrje apo dalje nga karantinat, do të thotë është lloj tjetër i lejes ajo. Kështu që, të gjithë ata që duan të hyjnë ose të dalin nga Prishtina duhet të bëjnë kërkesë në organin përkatës me sqarimet e nevojshme se për çfarë arsye iu duhet një lëvizje e tillë”, deklaroi ai.
Gjatë ditës së sotme shumë persona janë lejuar të hyjnë në Prishtinë, e të cilët kanë qenë punëtorë të kompanive të ndryshme, të cilave u është lejuar hyrja përmes një vendimi të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Qytetari Faton Majaci është lej uar të futet në Prishtinë, pasi që i njëjti ka qenë i pajisur me leje. Ai për KosovaPress tha se është lejuar të hyjë vetëm pasi që policëve u ka prezantuar lejen se mund të hyjë në Prishtinë.
Majaci: Na e kërkuan edhe lejen vërtetim nga kompania
“Isha në punë, jam pjesë e EuroGomës në Shkabaj, isha në disa punë personale tash jam duke shkuar në shtëpi, jam banor i Prishtinës… Na e kërkuan edhe lejen vërtetim nga kompania…Shumë në rregull është që ta kemi situatën nën kontroll”, tha ai.
Edhe Shpejtim Blakqorri është lejuar të hyjë në Prishtinë, pasi i njëjti ka qenë i pajisur me leje.
Blakqorri: E kemi të lejuar të punojmë dhe na kanë lejuar Policia të hyjmë në Prishtinë
“Punoj në një firmë në Dragodan dhe e kemi të lejuar të punojmë dhe na kanë lejuar Policia të hyjmë në Prishtinë…E kemi lejen”, tha ai.
Ndërsa, Burim Latifi, pronar i një ko mpanie që ofron shërbime farmaceutike nuk është lejuar të hyjë në Prishtinë për shkak se nuk ka pasur leje, ani pse me vendim të ministrisë biznesi i tij bën pjesë në kategorinë që mund të hyjë në kryeqytet.
Latifi: Nuk e pata dokumentin e kompanisë me vete – tash duhet të kthehem ta marrë
“Nuk e pata dokumentin me vete të kompanisë, tash duhet të kthehem ta marrë… E kam një kompani farmaceutike…Përmes mediave jemi informuar se si kompani që ofrojmë shërbime farmaceutike kemi mundësi të lëvizim. Është problematike, por është e momentit që është krijuar kjo situatë”, deklaroi ai.
Deri më tani në Prishtinë janë 47 persona të prekur me virusin COVID-19, ndërsa në nivel vendi numri ka shkuar në 362 persona me 8 raste të vdekjes./Tv Malisheva