Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes telefonit ka biseduar me përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës ku u njoftua për gjendjen e kësaj kategorie të shoqërisë sonë.
Veseli ka siguruar pensionistët se do t’u qëndrojnë pranë duke e shtyrë përpara deri në miratim pakon ekonomike e propozuar nga PDK-ja prej 320 milionë eurosh.
Postimi i plotë në Facebook:
“Sot bisedova në telefon me kryetarin e shoqatës së Pensionistëve Invalidor të Punës, Hamdi Tashollin si dhe me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazin, për t’u informuar për gjendjen dhe nevojat aktuale të pensionistëve të Kosovës. Prej tyre mësova se të moshuarit, janë duke u përballur me sfida të rënda dhe ndihen të lënë anash nga institucionet shtetërore.
Në këtë kohë pandemie, janë pikërisht të moshuarit tanë, ata që kanë më së shumti nevoj , jo vetëm për kujdesin familjar dhe shoqëror, por mbi të gjitha për kujdesin shtetëror. Ata janë më të kërcënuarit nga sëmundja e koronavirusit dhe vuajnë nga mungesa e barnave, lirisë së lëvizjes si dhe nga ngarkesa e tepërt psikologjike.
Kjo është arsyeja pse në pakon emergjente për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, kemi parashikuar një fond të veçantë humanitar që synon të mundësoj ndihmë të posaçme për moshën e tretë. Mes tjerash, është parashikuar edhe mbulimi i plotë i kostos së tyre të barnave gjatë kësaj periudhe. I sigurova përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’u gjendet pranë, duke shtyrë përpara deri në miratim pakon ekonomike që kemi propozuar.
Ndryshe, në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për pakon emergjente financiare prej 320 milionë eurosh, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u ballafaquar me krizën pandemike me të cilën po përballet vendi, pako kjo e cila u tërhoq nga ky grup parlamentar./ Tv Malisheva