Nga 12 shtatori, qendrat e vaksinimit do të jenë të hapura edhe të dielave. Meqë deri një ditë pas, janë në fuqi masat që janë marrë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, ministri i Shëndetësisë nuk ka përjashtuar edhe për vendosjen e masave të reja. Ndërkohë, 170 persona kanë vdekur vetëm gjatë kësaj jave, e 149 prej tyre kanë qenë të pavaksinuar. Spitalet janë plot me pacientë të cilët po kërkojnë shërbime, madje është shtuar edhe numri i pacientëve të kyçur në respiratorë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së komitetit anti-Covid tha se valët e reja të përhapjes së pandemisë janë të pashmangshme. Ai ka theksuar se janë administruar gati 900 mijë vaksina, 300 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat. Kurse gati 300 mijë të tjerë me një dozë.
Vitia: Nga data 12 shtator do të kemi vaksinim edhe të dielave
“Duke filluar nga data 12 shtator ne do të kemi vaksinim edhe të dielave, dhe nga 410 mijë vaksina të administruara nga muaji gusht, presim që të kemi edhe më shumë të vaksinuar në muajin shtator. Edhe kjo javë ka qenë një javë e vështirë për qytetarët tanë dhe për personelin shëndetësor, natyrisht. Numri i të infektuarve përkundër një rënie të lehtë vazhdon të jetë akoma i lartë…. Shkalla e pozitivitetit në këtë javë ka qenë 13,63 për qind. E ndjej të nevojshme të theksoj që nga mesatarisht 1200 të hospitalizuar, rreth 91 për qind kanë qenë të konfirmuar me COVID-19. Nga ana tjetër çfarë është me rëndësi, prej atyre që janë hospitalizuar dhe të konfirmuar me COVID-19, 93 për qind e këtyre pacientëve kanë qenë të pavaksinuar”, ka njoftuar Vitia.
Më tej, Vitia ka treguar se shumica e personave që kanë humbur jetën kanë pasur sëmundje shoqëruese, por edhe nuk kanë qenë të vaksinuar.
Vitia: Nga 170 persona të vdekur, 149 të pavaksinuar
“Gjatë kësaj jave fatkeqësisht kemi pasur në total 170 persona që kanë humbur jetën me përballjen me COVID. Dhe nga numri total i 170 rasteve të vdekjeve në këtë javë, 149 kanë qenë të pavakisnuar. Kurse nga grup-moshat e të vdekurve, kanë qenë që janë të vaksinuar, 50-59 vjet një rast, 60-69 tri raste. Dhe mbi moshën 70 vjecare-17 raste. Sa i përket sëmundjeve shoqëruese, vetëm për dy nga të ndjerët nuk kemi informata nëse kanë pasur sëmundje shoqërues, kurse 19 prej tyre kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, ka shtuar Vitia.
Ai ka përsëritur, se nga 13 shtatori punëtorët e administratës publike duhet të kenë një dëshmi, kartën e vaksinimit apo testin PCR negativ në 72 orët e fundit apo testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë.
Ai nuk ka përjashtuar vendosjen e masave të reja para kësaj date.
Vitia: Para 13 shtatorit ku do të vendoset se si do të procedojmë tutje
“Para 13 shtatorit do të kemi edhe takime të tjera, por edhe një takim ku do të vendoset se si do të procedohet tutje. Natyrisht, kjo nuk e përjashton mundësinë edhe të masave të reja para kësaj date, bazuar në këto raportime dhe bazuar në rekomandimet që vijnë nga ekspertët dhe IKShPK”, ka deklaruar Vitia.
Megjithatë, masa më e mirë për drejtorin e IKShPK-së, mbetet vaksinimi. Naser Ramadani në këtë konferencë për media tha se prej 20 për qind të pozitivitetit ka rënie në 13 për qind.
Ramadani: Pozitiviteti ka rënë në 13 për qind
“Prej 20 për qind, maksimum të pozitiviteti kemi rënë në 13 për qind. Është një indikator shumë pozitiv dhe që flet se kemi filluar të stabilizohet gjendja dhe situata epidemiologjike. Vdekshmëria në dy javët e fundit paraqitet me 0,88 për qind. Është gjysma e asaj mesatare të të gjitha rasteve të deritanishme. Kjo gjithashtu flet për një indikator pozitiv, i cili në javët në vazhdim do të jetë më i përmirësuar dhe më i dukshëm. Krahasuar me totalin e të prekurve, grup-moshat më të prekura mbeten 30-39 vjeç, me 18,9 për qind. Por, disa indikatorë thonë se janë të prekura me variantin Delta edhe grup-moshat 0-9, 10-19 dhe 29 vjeç”, u shpreh ai.
Ramadani ka bërë të ditur se 2,2 për qind e nxënësve kanë rezultuar pozitiv gjatë kësaj kohe. E, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha së ditëve të fundit janë përballur me fluks të madh të pacientëve. Ai ka përmendur tri karakteristikat e variantit delta, duke shtuar se janë mirë të furnizuar me oksigjen dhe barna.
Krasniqi: 79 pacientë janë të kyçur me respiratorë
“Sot kemi 79 pacientë që janë të kyçur në respiratorë, qoftë në modën cipap, qoftë të intubuar. Dhe kjo shënon një rritje për 10 pacientë më shumë se dje. Tri ditët e fundit kemi pasur më shumë pacientë të kyçur me respiratorë dhe kjo rrit rrezikun real për përfundim me fatalitet fatkeqësisht. Mbi 90 për qind e të shtretërve në spital janë të pavaksinuar”, ka deklaruar Krasniqi.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 1600 raste me COVID-19, ndërsa 26 persona kanë vdekur. /TV Malisheva